Keidi (Artan) BARE

 






Publikuar më: 29.12.2020

Sapo firmosa kontratën me Espanjol, bashkë me babin po shëtisnim në parkun e Barcelonës. 

U ulëm diku pranë njëri-tjetrit. 

Ishte një nga ato momente kur të duket sikur ke hequr një barrë të madhe nga vetja dhe ndihesh i çliruar plotësisht. 

Shikojmë njëri tjetrin në sy. 

Pas çdo hapi të hedhur në jetë mendimet të kthejnë gjithnjë pas në kohë. 

"Babi, të kujtohet kur e nisa futbollin "?

"Po Keidi. Në fakt e ke nisur katër vite më shpejt se unë. Ishe 7 vjeç", më thotë Artani me buzëqeshje. 

Tek fjalët e tij ndiej gëzimin dhe realizimin e ëndrrave të cilat nuk arriti t'i bënte realitet në kohën kur ishte futbollist. 

"Djali im, ndihem krenar për atë që ke arritur duke sfiduar vështirësi të shumta. Me durim, pëkushtim dhe punë je këtu ku unë kam qenë vetëm nëpër imagjinatë. Nuk kam tentuar në asnjë rast të imponoj asgjë. Gjithnjë kam dashur të mbështes për dëshirat e tua. Keidi, më ke bërë të lumtur më gjithçka që ke arritur".

Kur dëgjoj këto fjalë, të cilat babi mi thotë shpesh, mallëngjehem dhe bindem edhe më shumë se pa mbështetjen e prindërve, ëndrrat e një futbollisti nuk mund të bëhen asnjëherë realitet. 

Mirënjohja është vlera të cilën e kemi udhërrëfyes në rrugën tonë.

Kjo veti na ka shoqëruar gjithnjë. Për një futbollist të ri, trajneri i parë ka një rol të rëndësishëm në formimin e tij.

Romeo Haxhiaj është trajneri ndaj të cilit do ndihem gjithmonë mirënjohës. 

"Romeo i ka treguar vetitë e tij njerëzore edhe kur e kam pasur koleg te Apolonia. Si futbollist kishte frymë pozitive në grup. Veti të cilën e transmetoi edhe tek ty Keidi. Fryma në ekip e bën lojtarin të ndihet komod. Edhe unë nga ana ime e vlerësoj shumë Haxhiajn për kontributin e tij që ka në formimin tënd si futbollist ".

Si ish futbollist, babi di të vlerësojë kolegët por nuk harron në asnjë rast vështirësitë. 

Në moshën 16 -vjeçare kur isha pjesë e kombëtares U-17, më vjen mundësia për tu provuar në Spanjë, te Atletiko e Madritit. Trajneri  Mustedanagic ishte personi që më krijoi këtë urë lidhëse dhe që më ndihmoi shumë. 

"Ishte një periudhë shumë e vështirë Keidi. Midis ëndrrës dhe pamundësisë u zhvillua një luftë e vërtetë. Si ekstrakomunitar paisja me vizë ishte problemi i madh që na bëri të vuajmë shumë".

"Po. Nga njera anë ndihesha sikur nuk do realizohej kurrë kjo mundësi dhe nga ana tjetër  më shtohej më shumë dëshira për të shpërthyer pengesat".

Disktutimi dhe udhëtimi në kohë vazhdoi me njëri - tjetrin.

Kujtojmë kohën kur nisa të stërvitem dhe të luaj me Atletiko B. 

Trajneri i ekipit të parë Diego Simeone vinte shpesh për të ndjekur elementët që mund t'i afronte në skuadër. 

"Pitbull...

E mban mënd kur Simeone te thirri me këtë emër Keidi? Ai i pëlqen lojtarët me grintë dhe me shpirt. I pëlqen lojtarët luftëtarë. Këto ishin elementët që i ranë në sy tek ty". 

"Pë mua si futbollist i ri ishte ndjesi e jashtëzakonshme. Në fillim nuk e besoja, por kur nisa të dëgjoj udhëzimet e tij në stërvitje kuptova që jam i rëndësishëm. Kur më etiketonte pitbull, doja të jepja 200% në fushë . Do e kujtoj gjatë 10 Janarin kur debutova me Atletikon. Ndjesi që vështirë se mund ta shpjegoj, e pashpjegueshme. Kur Simeone thirri emrin tim që të bëhesha gati, për pak momente nuk dija çfarë të bëja nga emocionet. Goli ndaj Liverpulit pastaj erdhi në kohën dhe vendin e duhur, thjesht fantastik ai moment".


"Të kuptoj Keidi, sepse vetëm një futbollist e kupton ndjesinë e momenteve të tilla. Edhe unë kur kam debutuar për herë të parë me Apoloninë ndaj Besës ishte sikur shkova në një planet tjetër. Ndjesi e papërshkrueshme me fjalë".

Diskutimi midis dy futbollitëve, midus meje dhe babit vijon. Jemi kthyer në vite duke sjell në kujtesë emocione të veçanta.

Babi preket kur kujton kohën kur unë duhej të isha vetëm në Spanjë. Isha vetëm 16 vjeç. 

"Shpirti im e shpjegon më mirë gjendjen e rënduar shpirtërore që na pushtoi si familje kur ti duhej të kryeje provat dhe më pas të vijoje i vetëm larg shtëpisë dhe larg kujdesit tim. Isha mësuar të vëzhgoja në çdo hap që ti hidhje. Nuk jam ndierë aspak mirë. Fatmirësisht tregove që nuk je rastësisht në vendin ku luhet futbolli më i bukur në botë", ishin fjalët emocionuese te babit, i cili shtoi.

"Vlerat e tua u treguan në fushë duke kapërcyer pengesa të shumta. Vlerat e tua në moshë shumë të vogël entuziazmuan drejtuesit e Malagës".


"Kalimi im te Malaga ishte shumë i rëndësishëm sepse më rriti shumë si futbollist. Mbështetja që kam marrë nga drejtuesit që nga fillimi ishte e madhe". 

Në Malaga kalova dy sezone të mrekullueshëm në aspektin profesional. Ishte parapërgatitje për hapat e mëtejshëm në karrierë. Më pas prej shumë kohësh drejtuesit e Espanjol më kërkuan me ngulm që të isha në ekipin e tyre. 

"Në fakt ishte drejtori teknik i Espanjolit ai që këmbënguli deri në fund që ti të ishe pjesë. Keidi, tashmë pas firmës pres ta tregosh veten edhe më shumë te skuadra elitare spanjolle, Espanjol. Për këtë jam i sigurtë". 

Bashkëbisedimi vazhdon duke na shëtitur në kohë. Pika më e rëndësishme që na bën të rikthehemi shpesh është kombëtarja kuq e zi. Është pika e cila i jep krahë ëndrrës, entuziazmit, adrenalinës. Kjo ëndërr tashmë është bërë realitet në familjen tonë".

"Veshja e fanellës kuqezi është e vështirë të shprehet me fjalë sepse nuk ka kënaqesi më të madhe të luash për kombin tënd. Unë nuk e realizova dot kur luaja futboll, por kur të shikoj ty Kejdi se me sa kënaqësi e prezanton veten në kombëtare ndihem krenar dhe i lumtur. Ndihem i realizuar sepse ëndrra jote në kombëtare plotësoi dhe ëndrrën time". 

"Ndjesia ishte e jashtëzakonshme. Ky është një nga momentet më të bukura në karrierën e një futbollisti. 
Fantastike. 
Sa rrugë kemi përjetuar deri në parkun ku jemi këtu në Barcelonë, apo jo babi".

Diskutimi vazhdon dhe e ngacmoj babin me një detaj.

"Babi, unë vërtet kam arritur shumë deri këtu, por trofeun e parë nuk e kam fituar ende. Ndërsa ti e ke fituar!". 

Artani buzëqesh, më shikon në sy dhe përgjigjet:

 "Po e vërtetë. Kam fituar kupën e Shqipërisë me Apoloninë në vitin 1998 përballë Lushnjes. Gëzimi im ishte i dyfishtë. Në atë kohë ti Keidi prej një viti kishe ardhur si dhuratë në jetën tonë. Isha i lumtur sepse trofeun do ta tregoja ty kur të rriteshe. Por sot mesa shikoj më ke treguar ti më shumë me sukseset e tua. Ti i ke fituar trofetë personalë duke arritur deri këtu dhe mbi të gjitha ke arritur gjënë më të shtrejtë për një futbollist, kombëtaren. Trofetë janë rezultate kolektive, pra varen nga shumë faktorë. Jam i sigurt që do më tregosh edhe më shumë në rrugën që sapo ke nisur", ishin fjalët që në atë moment më mbushën me emocion.

Nostalgjia në parkun e Barecelonës më dërgoi pas në kohë për të vlerësuar mirënjohjen, vështirësitë. Asgjë nuk ka qenë e lehtë, por asgje nuk është e pamundur. Tashmë më presin hapat e tjerë në karrierë. 

Objektivat janë të qartë. Me babin që më shoqëron në çdo hap, këto objektiva bëhen edhe më të lehtë për tu arritur .

 Por ashtu sikurse kam punuar deri më sot me përkushtim, përulje ndaj punës, me grintë dhe pasion,  ëndrrat nuk mund të ndalen kurrë.

Faleminderit!



Nga 

Keidi (Artan) Bare

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!