Kleopatra SALIAJ





Publikuar më 27.02.2021

Dëgjoj emrin tim. Duhej të peshohesha për nisjen e garës!

Isha e emocionuar, sepse ishte kampionati i parë profesionist për mua në peshëngritje.

Afrohem dhe nis procedura, për të cilën nuk ja kisha idenë se si funksiononte. 

"Saliaj, çfarë peshe ke? Me cilin ekip konkurron?

Nuk dija si të përgjigjesha, nuk e dija emrin e klubit. Nuk dija as peshën time. 

Më zuri turpi...

Ishte kampionati kombëtar i të rriturve në Durrës.

Me mundim e kalova me shumë siklet atë situatë. 

Por nuk ishte e thënë të mbaronte me kaq siklet eksperienca ime e parë në një garim.

Konkurrentet ishin të mbuluara me muskuj në trup.

Shtangem...

"Babi, çfarë dua unë këtu. Unë nuk kam asnjë shans me këta konkurrente"!

Pasi qeshi me atë që thash, ai u përgjigj. "Është vetëm fillimi, kështu do të bëhesh edhe ti".

Në stilin e shkëputjes ngrita 35 kg, ndërsa në stilin e shtytjes ngrita 45 kg.

Isha shumë e lumtur , sepse zura vendin e tretë.

Ky rezultat më shtoi besimin që në këtë sport mund të jepja shumë.

Shpeshherë gjendem përballë pyetjeve sesi vendosa të jem një peshëngritëse duke patur parasysh që është një sport mashkullor.

Ndodhesha përballë televizorit kur po ndiqja Romela Begaj duke triumfuar si kampione bote dhe duke ngritur lart flamurin kuqezi.

Ishte ky moment që ndikoi në zgjedhjen time, sepse emocionet që ndieva në ato momente ishin shumë të forta, sidomos në momentin e flamurit kuq e zi. 

Atë ditë i kërkova babit që të bëhesha pjesë e këtij sporti. 

Më tha menjëherë "OK". 

Nisa të ëndërroj.

Pas dy ditesh shkova në palestër bashkë me babin. U prezantova me trajnerin dhe nisa stërvitjen. 

Stërvitjet e mia të para nuk ishin si ato të ëndrrave të mia. Më dukej sikur talleshin me mua. 

E dini pse?

Sepse stërvitjet e mia të para ishin me një shkop fshese.

Po po..

Me një shkop fshese.

Fatmirësisht, momentet e para kaluan shpejt dhe nisa të stërvitem me shtange. 

Ditët e para ishin shumë të vështira.

Isha 16 vjeçe dhe vazhdoja gjimnazin. Duhej ti bëja në mënyrë paralele që të merrja rezultatet më të mira. 

Mbas shkolle shkoja gjithnjë në palestrën e Fierit. Gjatë gjithë kohës tek dera jashtë palestrës më priste nëna. 

E bënte këtë gjithmonë që unë të mos ndihesha vetëm. Ishte një mbështetje e madhe për moshën time.

Nëna dhe familja nuk më kanë lënë asnjëherë që të ndihesha vetëm. Ata më kanë mbështetur shumë si nga ana emocionale po edhe nga ana financiare.

Por sporti është i paparashikueshëm. Ai është i lidhur fort me gjendjen
 fizike me mendore. 

Kur po mendoja se po ecja shumë mirë, gjatë një stërvitje të lodhshme thyej dorën. 

Përjetova një nga ditët më të errëta.

Por nuk hoqa dorë. Me dorë të dëmtuar ndoqa rregullisht stërvitjen. 

Pas disa muajsh zhvillohej kampionati kombëtar për të rritur.

 Dola kampione duke thyer 3 rekorde kombëtare. 

U kualifikova për në europianin e të rinjve. 

Arrita të renditem në vendin e 5-të edhe pse isha 17-vjeçe. Pas disa muajsh erdhi europiani për 17-vjeçaret. 

Pas nje rezultati shumë të mirë u shpalla kampione e Europës. Ishte një ënderr që u bë realitet. U ndjeva krenare me veten time sepse bëra familjen shumë të lumtur. 

Puna ime asnjeherë nuk është ndalur sepse vazhdoj me objektiva te tjerë . Edhe pse u izoluam gati për një vit, akoma jam në gjendje fizike goxha të mirë. 

Vitin aktual e nisëm me sukses, si kampionë. 

Ky rrugëtim nuk përshkrohet dot vetëm.

Krahas familjes i jam mirënjohës dhe njëkohësisht falenderoj federaten e peshengritjes, Elez Gjozën, shefen e klubit  aktual timin Tiranës, Debora Kecipo dhe trajnerin tim Zef Kovaçi bashkë me Erkand Qerimajn, të cilët po me mbeshtesin shumë në rrugetimin tim.

Gjithsesi, është vetëm fillimi!


Nga 

Kleopatra Saliaj

(peshëngritëse)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!