Ledjo P. PANO

 



Publikuar më 07.09.2020

Përpara meje qëndronin disa lodra dhe në mesin e tyre një top i bardhë me pulla të zeza. Sfera magjike më tërhoqi edhe mua ashtu siç ka tërhequr miliona njerëz në të gjithë botën. Kontakti im i parë me të erdhi jo me duar, por me këmbë në moshën 2-vjeçare. 

Pas ardhjes sime në jetë, ky moment ishte gëzimi i dytë i madh i babait tim, Panajot Pano.
Ai ëndërronte gjithnjë të linte një pasardhës të familjes në sportin që ai e donte sa vetë jetën. Emri i tij i madh, krijuar falë talentit të jashtëzakonshëm në fushën e lojës, kishte rritur shumë ndjeshmërinë tek sportdashësit, të cilët donin që Pano i madh të ishte përjetësisht në fushë edhe pas largimit nga futbolli. Prandaj gëzimi ishte i dyfishtë, sepse në familje unë kisha trokitur bashkë me topin e futbollit. 

Babi kujdesej shumë që unë të rritesha pa kufizime, apo pa imponimin prindëror.  Ai më dha dashurinë e madhe me urtësi për të cilën ndihem krenar edhe sot.


Luaja pothuajse përditë futboll tek ish fusha e aviacionit me femijët e tjerë. Nga ajo kohë më kujtohet shpesh mamaja, e cila më ndiqte gjithnjë me pjatën e saj të ushqimit. Një merak prindëror që na ka karakterizuar gjithnjë si shoqëri. 

Që në moshë të vogël isha në qendër të vëmendjes. Kur më shikonin njerëzit në rrugë, belbëzonin më njëri-tjetrin. "Djali i Panajotit të Madh", ishin fjalët e shpeshta që ata shkëmbenin. Më kujtohen momentet kur luaja futboll me babin në bregdet gjatë kampingut veror që zhvillonte Partizani. Njerëzit na rrethonin dhe na ndiqnin sikur të ishte një ndeshje zyrtare. Interesimi i tyre më jepte një ndjesi të veçantë si fëmijë.

Panajoti më qëndronte pranë dhe më jepte kurajo, më motivonte shumë që unë të jepja gjithçka në mënyrë që të bëhesha ai lojtari që prisnin të gjithë, në mënyrë që emri Pano të qëndronte atje ku e kishte dërguar im atë.

Në moshën 9-vjeçare nisa karrierën time si futbollist te klubi i shtëpisë, Partizani. Ose më saktë, nisa stërvitjen me të rinjtë në dhomën tjetër të shtëpisë. Them kështu sepse për ne Partizani ishte shtëpia jonë, ishte njësoj sikur kaloja nga dhoma në dhomë. 
Aty ishte historia ime, krenaria, imazhi, fama, mbështetja e gjithanshme dhe gjithçka që do ëndërronte çdo fëmijë në moshën time. 
Të tre ekipet e kryeqytetit, Partizani, Tirana dhe Dinamo funksionin si familje të mëdha, ku përkrahnin të gjitha sportet. 
Një ditë babai dhe nëna ime më morën për dore dhe shkuam në pallatin e sportit për të mbështetur ekipin e basketbollit të Partizanit. Mbaja një rotaçile në duar dhe duke e tundur për të bërë tifozllëk godita veten. Aq të lidhur ishin njërëzit në atë kohë, sa i shihje kudo, në stërvitje, në ndeshje futbolli, basketbolli, volejbolli etj. Në moshën 14 vjeçare u bëra pjesë e Mjeshterisë Sportive.

Trysnia e imazhit të emrit të babait më ka ndjekur gjithnjë. Një ditë pas stërvitjes, Pano më tha: "Ledjo, duhet të jesh më agresiv në lojë, duhet të luftosh për çdo top dhe ta zotërosh ate me forcën fizike dhe mendore". Ai kërkonte që të fitoja edhe vetitë e tij në fushën e lojës, por unë isha një lojtar i një stili tjetër, shumë më elegant. Më pëlqente të bëja veprime fine. Pano kërkonte prefeksionimin tek unë.


I jashtëzakonshëm për mua ka qenë momenti kur luajta minutat e para më ekipin e të rriturve. Shkelja e barit më krijoi një ndjesi që nuk do ta harroj kurrë. Pasi u futa në lojë, për pak momente u ndieva i rëndë, sikur kisha një peshë të madhe në kurriz. Po, ishte e vërtetë, pesha kishte emrin e madh të Panajot Panos, i cili duhej të justifikohej në fushë. Nisa të vrapoj fort në lojë, në stërvitje për të justifikuar emrin e legjendës. Rritja si lojtar erdhi me trajner Ramadan Shehun, ku për tri vite radhazi dolëm kampionë të Shqipërisë. Ai ishte momenti i konsolidimit tim si futbollist.
 
Por le të rikthemi pak në kohë kur unë isha në moshën 7-vjeçare.
Babi kishte vendosur se do të largohej nga futbolli. Vendimi i tij ishte sekret. Askush nuk e dinte. Ai priti ndeshjen derbi ndaj Tiranës si sfidën e tij të fundit në futboll. 

Stadiumi atë ditë ishte i tejbushur përtej kapacitetit zyrtar. "Qemal Stafa" dukej ndryshe. 

Nisi ndeshja derbi. 20 mijë veta ëndërronin që sfida të mos mbaronte kurrë. Ata nuk e dinin se do të largohej një vlerë, një legjendë. Nuk e dinin që do largohej adrenalina, të cilën nuk do mund ta shijonin më në stadium. Por çdo fillim e ka një fund. 
Dhe ky ishte një nga ato fundet e hidhura. Në minutën e 20 ndeshja ndërpritet. Panajot Pano heq bluzën dhe e ndërron me Agim Muratin.


Të gjithë stepen. Nuk po kuptonin se çfarë po ndodhte. Babai nis xhiron e lamtumirës rreth stadiumit. Vetëm në këtë moment tifozët zbuluan surprizën e pakëndshme. Nisin ulërimat e para. Për ta ishte e papritura me e hidhur që kishte dhuruar futbolli. Ish-portieri i Partizanit, Bashkim Muhedini me merr nga tribuna dhe  me zbret në pistë.  E ndoqa nga pas babin dhe e kapa nga dora.  

Ai habitet, por edhe lumturohet njëkohësisht. Ishte një lehtësim për të prezenca ime në xhiron e lamtumirës. Ishte lehtësim, sepse ai po linte ëndrrën e tij ta përqafësonte në futboll, pasardhësin Ledio Pano. 

 Tribunat në stadium ishin çmendur. Dukej sikur nga momenti në moment do të shpërthenin hekurat dhe të gjithë ata njerëz do të pushtonin fushën. Klithma, ulërima që shqiptonin emrin e Panos. Lule dhe duartrokitje të forta nga i gjithë stadiumi. Lotët nisën të derdhen nga të gjitha tribunat e stadiumit. U krijua një atmosferë rrënqethëse. Dukej sikur dikush ishte larguar nga jeta dhe jo nga futbolli. Kjo ishte magjia e talentit të babait tim, ku futbollin e bëri njësh me jetën. Talenti i tij bashkoi të gjithë kryeqytetin atë ditë. Tifozët e Partizanit dhe Tiranës ishin si familje e bashkuar që nuk po e kapërdinin dot largimin e një vlere nga futbolli. Dukej sikur njerëzit nuk do të gjenin më motivim për të parë futboll. Ky ishte imazhi, dashuria, dhe gjithçka e mirë që babai la pas me talentin e tij. I vetmi kujtim që kam nga ajo ditë është kjo fotografi.

Ajo ndeshje është një manual ku tregohet qartë se si futbolli arrin të bashkojë njerëzit. Është shembull se çfarë efekti lë talenti të sportdashësit. Atë ditë i thashë vetes se duhej të bëja shumë sakrifica që Pano i madh të ishte në fushën e lojës, kësaj radhe me Ledjon.      
Gjatë karrierës sime duhej të përpiqesha më shumë për të arritur cilësitë që kërkonte Panajoti tek unë, por karakteristikat e mia nuk ma lejuan shumë një gjë të tillë edhe pse përpjekja nuk mungoi.
Ndryshimi i sistemit në Shqipëri solli shumë ndryshime në të gjitha anët e jetës. Edhe në futboll ndodhi e njëjta gjë. Të gjithë kërkonin një të ardhme më të mirë. Tentova edhe unë emigrimin në futboll por nuk funksionoi herën e parë. Pas 6 muajve një menaxher nga Skoda Xanthi më kontaktoi. Për 10 vite më pas karriera ime vijoi në Greqi. 

Kombëtarja ishte adrenalina më e madhe në karrierën time. U futa në lojë për herë të parë ndaj Austrisë. Preka një realitet tjetër. Hodha hapin që e ëndërrojnë të gjithë futbollistët, të përfaqësojnë ngjyrat kuq e zi. 

Nga eksperienca ime me kombëtaren, kujtoj shpesh herë goditjen e shtyllës ndaj Gjermanisë. Ende nuk e imagjinoj se çfarë do të ndodhte në karrierën apo jetën time nëse ai top do përfundonte në rrjete. Kur u futa në fushë isha i lumtur se do të luaja ndaj ekipit madhështor, Gjermanisë. Cilësitë e mia më të cilat u rrita si futbollist më shërbyen në atë moment. Goditjet standarte ishin specialitetit im. Nuk u mendova gjatë, godita fort, topi përfundoi në shtyllën këndore. Stadiumi për një moment ngriu, dukej sikur po përgatitej për shpërthimin gjigand...por kjo nuk ndodhi. Shtylla u bë pengesë.

Momentet e veçanta tek futbollistët janë përcaktuese për karrierën sportive. 

Nëse arrita diçka pozitive në futboll, padyshim meritën kryesore për këtë e ka babai im, i cili më mbështeti për aftësitë e mia, më shoqëroi me imazhin e tij dhe kërkoi që të fitoja cilësitë e tij që të arrija absolutin. Goditjet standarde ishin specialiteti im. Nuk kam humbur asnje penallti nga 50 të tilla. Për këtë sukses qëndroja shumë kohë duke u ushtruar pas stërvitjes. Por kjo nuk mjaftoi që une të isha atje ku duhej të isha, pranë vendit që kishte krijuar Panajot Pano.

Në rrugëtimin tim kam bërë gabime, të cilat nuk do ti bëja nëse do rikthehesha sërish pas. Nga gabimet duhet të mësojmë, dhe jo thjesht ti pranojmë. 

Këto copëza jete më shoqërojnë edhe tani si trajner. I kërkoj futbollistëve të mi gjëra që unë duhej ti bëja më mirë në stërvitje kur luaja futboll. Të hysh në psikologjinë e futbollistit është elementi kryesor modern.

Linda dhe u rrita me emrin që ka lënë babai im falë talentit të jashtëzakonshëm që ai zotëronte.

Po ju them një detaj. Edhe sot e kësaj dite shpesh njerëzit nuk më drejtohen në emër, por: 

"Djali i Panajot Panos"...

Kjo është magjia që të dhuron futbolli...














         

 

 

Nga Ledjo P. Pano

(ish-futbollist, trajner)


 Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar !