Ledjo BEQJA

 




Publikuar më 17.06.2021

Kujtimet e fëmijërisë më duken sikur i kam kaluar dje. 

Im atë më merrte shpesh me vete me makinë. 

Një ditë po kalonim në Sukth. 

Nga krahu tjetër i rrugës pashë disa djem që luanin dhe stërviteshin me top. 

"Babi dua të luaj edhe unë si ata çunat". Më dëgjoi por nuk pranoi në fillim. 

Nisa të qaj pa pushim. "Ndaloje makinën se dua të stërvitem si ata". 

Pas këmbënguljes sime, babi ndaloi dhe më dërgoi në stërvitje. Kjo ishte dita e parë ku mori rrugë ëndrra ime. Pas atij momenti, në dëshirat e mia kishte vend vetëm për një gjë, topin. 

Lojtari i  Milanit në atë kohë, Kaka, ishte idhull dhe vijon të jetë i tillë. Ai është një shembull që dua ta ndjek në futboll. Pas pak kohësh, nga akademia në Sukth bëj hapin e parë. U bëra pjesë e akademisë së Teutës. Kalimi nga dëshira tek praktika, ku stërvitja sa vinte e bëhej më serioze.

 U rrita profesionalisht te ekipet zinxhir. Cilësitë e mia me të rinjtë tërhoqën vëmendjen e drejtuesve teknik. Në moshën 17 vjeçare ftohem për herë të parë nga ekipi i të rriturve të Teutës. Trajneri Bledi Shkëmbi më jep minutat e arta si lojtar profesionist. Ato çaste ishin vërtet shumë emocionuese. Në sezonin e sapo mbyllur si kampionë jam rritur në shumë aspekte për të pritur siç duhet momentin tim. Jam pjesë e një skuadre me shumë elementë cilësorë dhe jo rastësisht jemi këtu ku jemi.
 Ekipi kombëtar i moshave më ka vlerësuar gjithshtu për cilësitë. Për këtë jam pjesë e të rinjve kuqezi. Krahas ngjarjeve të gëzueshme, një moment e kam përjetuar jo shumë mirë, ndoshta dhe nga mosha e vogël. Për eliminatoret e Europianit me U-19 u mposhtëm tri ndeshje radhazi në Portugali, në kohën kur pritshmëritë ndaj nesh ishin të mëdha. Nuk kam fjetur për disa kohë pas atij momenti. Shpresoj që ky kujtim të mos përsëritet më në vazhdim.
 Të veshësh ngjyrat kuqezi është një ndjesi e rrallë. E tillë ishte dhe ftesa e fundit nga kombëtarja e shpresave, shumë, shumë  r veçantë. Kam lindur në Itali, ku kalova 2 vitet e para të jetës. Shpresa ime është që të rikthehem sërish atje, tashmë për jetën sportive. Ëndërroj që një ditë të jem pjesë e Serisë A, por për këtë duhet të punoj shumë. Ajo që më bën të ndihem mirë dhe më jep forcë për tu përmirësuar çdo ditë është kur shikoj krenarinë e familjarëve të mi, kryesisht të babit tim. Kjo është energjia që më bën ta shikoj të ardhmen me optimizëm. Ëndrra sapo ka nisur....
 

Nga

Ledjo Beqja

(futbollist)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!