Malvina TUCI

 




Publikuar më: 30.06.2021

Të shikosh ditën dhe të ëndërrosh natën....
Ditën vëzhgoja lëvizjet, goditjet, energjinë e heronjve të mi, ndërsa natën isha me ta në tapetin e lojës...
Bëja bllok, pasoja dhe godisja pikën fituese...
"Mila dhe Shiro" më tërhoqën pas tyre, më ushqyen pasionin për volejbollin duke më futur në ëndrra imagjinare.
Inspirimi për voley tek unë erdhi nga filmi i animuar, "Attacker you".
Isha vetëm 8-vjeçe dhe ky sport u bë pjesë e ëndrrave të mia, por pa e ditur në asnjë rast që një ditë do isha profesioniste.
Gjatë një ore mësimi papritur troket dera.
Mesuese Violeta Doda me seriozitet nis të lexojë emrat nga një listë që kishte në duar. Të parin emër që lexon ishte, Malvina Tuci....
U shtanga, sepse volejbolli për të parën herë nuk ishte më ëndërr, por një realitet. Po formohej ekipi i femravë në shkollë, dhe unë isha një nga të përgjedhurat..
U hutova totalisht dhe po shikoja fytyrat e nxënësve të klasës, të gjithë ata po bënin të njëjtën gjë, po më shikonin...
Kthehem nga mësuesja dhe e pyes: "Unë"????
Me seriozitetin e saj karakteristik, mësuesja më thotë: "Po po, ti"!!!!
Isha më e gjata e klasës dhe në një farë mënyrë e prisja që kjo do të ndodhte, por nuk e besoja në asnjë moment, ndoshta ngaqë isha e përfshirë shumë në ëndrrat e mia.
Me ekipin e shkollës stërvitesha tre herë në javë dhe luanim shpesh ndaj ekipeve të shkollavë të ndryshme. Isha e vogël për të kuptuar çfarë ishte volejbolli, thjesht luaja me shumë dëshirë dhe kënaqësha. Me vete kisha si gjithnjë herojtë e mi, "Milan dhe Shiron".
Më pas kalova tek të rejat e ekipit të “Minatorit” të Rreshenit aty ku linda dhe u rrita.
Stërvitja e parë ishte si dashuria me shikim të parë. E lumtur, e gëzuar, e habitur,  vetëm duke menduar që po stërvitem dhe po luaj volejboll, kjo me entuziazmonte pa fund. Sidomos momentet kur bëhesha gati për stërvitje ishin aq të bukura saqë prisja me padurim ditën tjetër për të vajtur në stërvitje.
Ndeshja e parë për mua në kampionat ishte kundër Studentit me të rejat, luanim në Rrëshen. Kur vinte puna të ndeshjet situata u tensiononte, emocionet ishin më të mëdha dhe nga brenda kisha një ego për të fituar. Atmosfera në pallatin e sportit ishte surpriza e madhe. Ishte i mbushur plot me njerëz edhe pse ishim ekip i të rejave. Duartrokitjet dhe brohoritjet nuk kishin të ndaluar. Ky detaj më bëri përshtypje dhe më ka mbetur në  mendje fakti se sa shumë e donte dhe e admironte volejbollin, Rresheni.
 Nuk qëndrova shumë kohë tek të rejat pasi më morën me ekipin e të rriturave.
Shkallët po i ngjisja shpejt, por me vete kisha gjithnjë "herojtë", por edhe përgjigjen e mësueses së parë: "Po po, ti"!, e cila ishte kthyer në inspirim.
Aty gjeta realitet tjetër. Stërvitesha me vajza shumë më të mëdhaja se vetja. Për të parën herë kuptova që  çdo shkallë që ngjisja bëhej më e rëndësishme dhe më e vështirë. Kuptova që volejbolli nuk ishte thjesht të luaje vetëm për kënaqësi.  Kishte rregulla, disiplinë, përgjegjësi, konkurrencë, ego, dëshirë dhe..... shumë punë.
Në të tilla momente roli i familjes për një sportist është shumë i rëndësishëm. Ishte dhe është përkrahja më e madhe, motivimi, shtysa për të vazhduar më tej. Ata e përkrahën ëndrrën timë që në fillim dhe mbështetën çdo vendim që unë mora më pas në lidhje me sportin. Babi ka luajtur futboll, mami volejboll. Vëllai futboll, motra volejboll një kohë shumë të shkurtër me grupet e shkollave. Pra një familje sportistësh. Ndeshjet e mia ata i përjetonin edhe më shumë se unë. Babin e kisha kritikun, pas çdo ndeshje me bënte analizën e lojës. Ndërsa mami bënte sikur nuk i shikonte momentet kur humbisja ndonjë pikë.
U bënë tifozët e mi të përhershëm. Më ndoqën në çdo ndeshje duke më bërë të fortë në lojë.
Gjithashtu kam patur fatin e mirë të stërvitem me shumë trajnerë  të Shqipërisë, dhe secili ka ndikuar në rritjen time.
Në fillim nisa të luaj si lojtare e pozicionit katër. Pastaj me kaluan si lojtare qendre tre, për arsyje se isha shumë e shpejte, pozicionohesha shpejt dhe kisha nje nuhatje shumë të mirë në bllok. Dhe menduan që ky pozicion do ishte më i përshtatshëm.
Në momentet e aksioneve te pikave përcaktuese kujtimet me dergonin tek "Mila". Dhe kur fitonim qeshja me vete dhe kuptoja që të kesh një shpirt luftarak dhe besim në vetvete çdo gjë arrihet. Kështu ndodhi edhe në ndeshjen finale ndaj Barletit në vitin historik për Miratorin në 2012-ën ku u shpallëm kampion.
Një moment që kurrë nuk do ta harroj. Ishte sezon unik për ekipin, pasi ishim vetëm 7 vajza që do përballonim një sezon.
Po 7 vajza dhe nuk besoj që ka ndodhur ndonjëherë në volejboll.
Vitin paraardhës dolëm kampion me lojtaret më të mira të Shqipërisë ku fitorja ishte mëse e sigurtë.
Një sezon më pas, ato lojtare u transferuan te ekipi i Barletit dhe ekipi i Rreshenit ngeli me vetem 7 lojtare.
E nisem sezonin duke shpresuar që diçka do rregullohej, por në një moment dhe trajneri dha doreheqjen për shkak që nuk kishte financa, dhe aty shpresat u shuan.
Një ditë mblidhemi të shtatë vajzat dhe vendosim me njëra-tjetrën që për çdo arsyje mos të dorëzoheshim.
Vendosëm të vijonim kampionatin. Nga mesi i kampionatit u bashkua me ne edhe trajneri Hasan Gurabardhi.
Nuk kishim mbështetje nga askush. Kishim vetëm mbështetjen e të gjithë qytetit që na ndiqnin në çdo ndeshje dhe na inkurajonin.
Vjen momenti i finales kundër ekipit të Barletit, seti i katërt. Seti mbaron me 25 pikë. Arritëm të fitonim 33 me 31 dhe pika 33 bëri që për ne të fillonte historia.
Uauuu, çfarë emocioni të jep sporti, fantastike. Një moment të tillë nuk do e harroj kurrë.
"Unë kampione?  Po po ti!", ishte fraza që më shoqëroi si inspirim edhe në këtë moment historik.
Ashtu sikurse nuk mund të harroj kurrë momentin historik me kombëtaren shqiptare ku u renditëm në vend të tretë dhe fituam medalje bronzi në kopeticionin Silver European League- Womën.
Një tjetër emocion sepse mbi supe mbanim një tjetër vlerë, përfaqësonim kombin ku çdo sportist e endërron. Ishte fitorja kundër Estonisë, e zhvilluar në Suedi, që na shpalli fitues të vendit të tretë. Emocion i pa përshkrueshëm, ngjitja në podium dhe marrja e medaljes, kenaqësi shumë e madhe.
Këto momente ti dhuron vetëm sporti dhe konkretisht volejbolli...
Por në sport duhet të jesh i përgatitur gjithnjë për të papriturën edhe në momenete negative. Përtej rezultatit që është i natyrshëm në sport, duhet të jemi gati dhe për fatin e keq, i cili ndjek shpesh sportistët në aspektin fizik.
Po luanim kundër "M Technologi" për kupën e Kosovës. Sapo isha bërë pjesë e Skënderajt. Gjatë një aksioni në sulm, pasimi i topit ishte më lart se sa duhej, dhe për mos ta lënë të binte në tokë, bëra dhe një lëvizje tjetër në ajër dhe rrënja ishte jo në peshën e duhur të këmbës.
Në fillim nuk doja ta besoja, isha pesimiste pasi për mua ishte lendimi im i parë serioz dhe nuk u pajtoja me faktin e lëndimit.  
Shumë shpejt u operova dhe gjendja nisi të përmirësohet. Gjeta forcën brenda vetes, ndalova se menduari negativisht dhe i thash vetes:
 Stop Malvina kjo nuk është asgjë...
"Unë? pyeste pjesa tjeter, "Po po ti", ndërhynte përgjigja tjetër inspiruse.
Nuk e lejoja dot veten të më mundte ndjesia e të menduarit negativisht. Pas lendimit më i rëndësishëm për sportistin që të arrijë përformancën e duhur është rikuperimi i duhur në kohë të shpejtë.
Direkt pas operimit nisa fizioterapi shumë të fortë, dhe sipas fizioterapistit Ervin Meqikukiqi gjendja është në përmirësim e sipër.
Kosova edhe pse nuk ka një nivel të lartë, vlerësimi është aq maksimal sa të lënë përshtypjen që po luan në Europë. Unë kam patur fatin të luaj në ekipe shumë të mira dhe pretedente në Shqipëri, ku harmonia dhe grupi nuk ka munguar asnjëhere ka qenë jashtëzakonisht e shkëlqyer.
Por ardhja ime te ekipi i Skënderajt ishtë qershia mbi tortë, sikur të isha në shtëpinë time. Një mikëpritje madhështore, staf i mrekullueshëm dhe vajzat shumë të dashura. Ndihesha sikur kishim shumë kohë që njiheshim. Dhe për fat të keq erdhi lëndimi dhe nuk arrita dot t'i ndihmoja më tej. Megjithatë i falenderoj pa masë vajzat dhe sidomos trajnerin e ekipit Ylli Kadriu, që me kanë mbeshtetur dhe më janë gjendur pranë në çdo moment.
 Pas një pauze gjatë kohës së pandemisë sapo kisha filluar të merrja formën më të mirë sportive, ndodhi ajo që kurrë nuk e kisha imagjinuar... Këtë vit në Kosovë u lënduan shumë lojtare, dhe njëra prej tyre isha dhe unë. Pothuajse në çdo ndeshje u lëndonte nga një sportist.
Aspekti fizik është i lidhur me anën psikologjike. Për mua të dyja janë parësore dhe të lidhura me njëra tjetrën. Kur ke një trup të shëndetshëm ke dhe një mendje të shëndetshme dhe anasjelltas. Ata ndihmojnë njëra tjetrër në momente të vështira.
Të bësh një karriere profesioniste duhet të fokusohesh shumë. Pasi kërkon shumë angazhim.  Duhet të stërvitesh shumë, pasi nuk mjaftojne vetëm 2 - 3 orë me ekipin.
Por për fat të keq mundësitë në vendin tonë nuk janë aq të mëdha sa të përkushtohesh vetëm në sport. Dhe detyrimisht duhet patjeter dhe të punosh një punë tjeter.
Në këtë aspekt ka shume lodhje, dita ikën shumë shpejt, nga puna direkt në stërvitje, pas stërvitjes duhet të ushtrosh dhe fitnes pas fitnesit, arritja në shpi është shumë vonë, koha e rikuperimit është shumë e vogël, duhet të përgatitesh për të nesërmen në punë, zgjimi shumë herët. Ndonjëherë si pasojë performanca nuk del ashtu siç don.
Është sakrificë shumë e madhe. Por egoja dhe dëshira e madhe nuk të lënë që të dorëzohesh, sepse volejbolli për mua është dashuri më vete, dashuri që do kërkoj ta transmetoj kudo...  "Unë?....Po po ti..."
Volejbolli është antistres,
është ajër,
është jetë.
Është pjesë e pa ndashme e jetës sime.
Dhe mbi të gjitha është kulturë...

 

Nga
Malvina Tuci
(volejbolliste)


Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar !