Migena PLASA

 

 


 Publikuar më 13.08.2021

Kur e shikoj nga jashtë, basketbolli dhe konkretisht karriera ime duket e bukur, e suksesshme, por nga brenda, të cilën e kam përjetuar për 27 vite,  ka shumë, shumë sakrifcë. 

Më është dashur të heq dorë nga shumë gjëra. Duhej të kisha një regjim të rrepte dhe të harroja argëtimet e tjera që bashkëmoshataret e mia bënin. Por sot që jam jashtë vijave rrethuese të tapetit them që e gjithë sakrifica ia ka vlejtur. 

Jeta ime u bë më e bukur me basketbollin. Në fillime ky sport ishte një qellim për mua, ndërsa sot është kthyer në mjetin që më shërben për të arritur shumëçka që më duhet për të plotësuar pjesën tjetër të jetës. 

Si pedagoge, sot e kujtoj me nostalgji ecurinë e jetës duke bashkëjetuar me basketbollin. Në fillim për shkak të shkollës, osë më saktë dëshirës së fortë të prindërve që ti përkushtohesha vetëm mësimeve, ekzestoi e fortë mundësia që unë të mos isha një basketbolliste. Ata shikonin dhe donin një profesion tjetër dhe kurrsesi sportin. 

Pas një lufte shumë të madhe me familjen në moshën 10 vjeçare arrita të ndjek ëndrrën. Ishte mësuesi i edukimit fizik, Pirro Dollaku, i cili me shumë këmbëngulje arriti të binde prindërit e mi.
Ishte pikërisht ai që me dha në duar topin e parë të basketbollit , i cili ishte pak i vjetër, i rrjepur dhe ngjyrë kafe. Isha shumë e emocionuar që më në fund ëndrra ime po merrte rrugë dhe fillova ti përkushtohesha maksimalisht stërvitjes për të arritur aty ku doja, pra të isha një basketbolliste cilësore.  Nuk doja t'i zhgenjeja prinderit e mi, të cilët nuk arritën të më bindnin të mos vazhdoja rrugën time. Babai më pas u bë një nga mbështetësit kryesor.

 Për moshën isha shumë shtatlartë. Opinioni sportiv në Korçë flistë me optimizëm. Ata shikonin tek unë një vajzë me të ardhme në basketboll. Por kishte edhe nga ata që nuk besonin.
Në këtë formë nisi dhe basketbolli.

 E ndjera Shpresa Duni u bë motivi dhe inspirimi im për të ecur përpara. Ishte trajnerja e parë që më mbështeti fort. Në fillim ishte shumë e vështirë sepse grupi kishte dy vite që stërvitej, ndërsa unë isha fillestare.

  Por fati im i mirë më kishte sjell pranë Dunin, e cila shpresonte shumë tek e ardhmja ime dhe shpesh konfliktohej edhe me pjesën tjetër të njerëzve që mendonin që unë nuk do bëhesha kurrë një lojtare e mirë.
Stërvitja vazhdonte rregullisht dhe me orare të zgjatura. Gjërat po shkonin mirë dhe erdhi momenti që të kaloja në ekipin e të rejave të Skenderbeut me trajner Anesti Mano. Qëndrova shumë pak aty, pothuajse gjysmën e kampionatit sepse më pas kalova tek ekipi i parë me trajner Edmond Dushkun dhe Arjan Kostanin.

Si 16-vjeçare u emocionova shume në fakt, ishte e papritur . Në këtë periudhë zhvilluam një ndeshje miqësore në Kostur dhe kjo u bë ndeshja e parë zyrtare me ekipin e të rriturave.
Kalova gati 11 vite tek ky ekip dhe kulmi arriti në vitin 2000 ku u shpalla për herë të parë kampione e Shqipërisë. Në këtë sezon arritëm të merrnim kupën e Republikës dhe Superkupën. Isha më e vogla në ekip dhe me dukej ëndërr. Gjatë kësaj periudhe kam pasur kërkesa nga ekipe të tjera brenda dhe jashtë vendit, por vetëm në vitin 2004 vendosa te luaj për ekipin e Studentit për një sezon deri në 2005 dhe me pas 2005-2006 me Tiranën.

Në fund të këtij sezoni vjen oferta nga Flamurtari. Nuk e mendova dy here pasi ishte një ekip që po i jepte tonin basketbollit në ato vite. Më pas për 14 vite përjetova emocionet më të mëdha të karrierës time. Shume trofe të fituara me këtë ekip, shumë episode që nuk harrohen kurrë. Shumë ndeshje të fituara në sekondën e fundit, shume ndeshje të fituara me përmbysje, plot kujtime që janë korniza më e bukur e gjithë viteve të karrierës sime 27 vjeçare.

Kuptohet që ëndrra e çdo sportisti është të bëhet një ditë pjesë e ekipit kombëtar dhe mua kjo ëndërr mu bë realitet në moshën 17-vjeçare kur kam marrë pjesë për herë të parë në një aktivitet ndërkombëtar me trajner Bashkim Milon dhe Kujtim Kasmin. Nga karriera me kombëtaren kujtimi më i bukur është medalja e arit në Andorra në vitin 2002.
Prej 15 vitesh pjesë e atij ekipi ku pjesa më e mërzitshme ishin ndeshjet ku humbisnim me rezultat të thellë. E gjithë kjo rrugë e gjatë sportive sigurisht ka kostot e veta.
Për të pasur sukses të garantuar nuk mjafton vetëm talenti, duhet shumë punë dhe përkushtim. Kjo është dhe këshilla që dua tia trasmetoj të rinjve që dëshorojnë të merren me sport. Përveç kësaj duhet mbështetje pa kushte nga familja nga trajnerët dhe nga i gjithë opinioni.

Mua kjo nuk me ka munguar prandaj gjej rastin t'i falenderoj të gjithë duke filluar nga trajnerët e mi të parë në Korçë dhe duke e mbyllur me trajnerin tim tek Flamurtari, Viron Toskën, të cilët më kane përkrahur dhe ndihmuar për të ecur përpara. 

Nuk do të mjaftonin këto rrjeshta për falenderimet e mia, por si gjithnjë pa mbështejen e familjes, çdo fëmijë e ka të pamundur të realizojë ëndrrën në sport.  Prindërit e mi dhe familja sot, pjesë e së cilës është dhe vajza ime, meritojnë falenderimin më të madh.
Faleminderit!

nga

Migena Plasa

(ish-basketbolliste)


Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar !