Myrto UZUNI

 




Publikuar më: 04.06.2021

Të kujtohet ai topi i kuq që më dhurove kur isha 5 vjeç? 

Unë e kam ende para syve atë moment... 

Doje që unë të përqëndrohesha te sfera e rrumbullkët, po...

 Organizove ndeshje futbolli me fëmijët me qëllimin e vetëm që unë të luaja me topin e kuq me shpresë që të bëhesha futbollist. 

Doje të shikoje tek unë Ronaldo fenomenin, të cilin e adhuroje aq shumë. 

"Paso majtaj, paso djathtas", janë fjalët që kanë mbetur tek unë kur ti organizoje ndeshjet në mini "akademinë"  e krijuar me fëmijët,  vetëm e vetëm që të më injektoje futbollin në fushën e lojës. 

Ishin kohë shumë të vështira për të përballuar realitetin e aq më tepër për tu bërë futbollist. 

Edhe pse u përpoqe shumë, në Berat nuk pe asnjë mundësi progresi. 

Për të realizuar ëndrrën me emrin futboll, more 750 mijë lekë (të vjetra) borxh për të përshkruar rrugën e klandestinit dejt Greqisë. Dhe kjo për një qëllim, që unë të isha Ronaldo fenomeni në të ardhmen. 

E nisëm rrugëtimin tonë pa e ditur se ku do të shkonim.

Atje nuk ishte fushë me lule, por sakrifice e vërtetë që na përfshiu të dy, më pas dhe familjen tonë. Duhej të punonim për të jetuar dhe për të bërë realitet ëndrrën, e cila falë teje u bë pjesë e imja. 

Në dhomë kisha vendosur flamurin e madh shqiptar, të kujtohet?

Ato ngjyra më karikonin në momentet e vështira. Më bënin të merrja energji për të kaluar pengesat.  Në rastin e parë që tu dha më regjistrove në akademinë e  skuadres greke. Ata kërkonin 25 euro në muaj që unë të qëndroja dhe të rritesha si futbollist.

Durove sa durove dhe në fund vendose të mos paguaje më. "Nëse djali im nuk e meriton, ai nuk do vijë më në akademi, Nëse po, atëherë nuk do paguajë asnjë euro", i the. 

U shkëputa tre katër ditë. Por nuk zgjati më shumë, sepse drejtuesit erdhën në shtëpi dhe më morën, kësaj radhe pa nevojën e eurove. 

Të gjithë paguanin rreth 250 euro në muaj, ndërsa i vetmi isha unë që nuk paguaja asnjë qindarkë më pas. Sigurisht ata nuhatën diçka tek unë duke i dhënë të drejtë besimit tënd babi, që unë vleja. 

Për këtë më vendosën klauzolë nëse do kaloja në një ekip tjetër. 2500 euro kërkuan kur Olimpiakos donte të më afronte në klub. 

"Dërgoje djalin në Shqipëri në mënyrë që ta marrim me kosto zero", ishte zgjidhja që të propozuan drejtuesit e Olimpiakos. Por ne nuk ishim në gjendje të paguanim borxhet që kishim marrë në Shqipëri, si të ktheheshim?  

Në moshën 14-15 vjeç qëndrova një muaj te OIlimpiakos, por si minoren nuk disponoja dokumentacionin e duhur nga njëra anë dhe nga ana tjetër pagesën që duhej të kryehej te akademia ku isha formuar. 

Vitet kalonin dhe vështirësitë atje ndiqnin njëra tjetrën në rrugën tonë. 

Vendose të ktheheshim në Shqipëri. Në moshën 17 vjeçare më regjistrove te paratërinjtë e Tomorit. Në shi, baltë, në fusha pa fushë nuk u dorëzova në asnjë moment. Kalova gjysmë sezoni te të rinjtë ku shkëlqeva me ndeshje shumë të mira. 

Edhe pse isha më i dalluari, në fund isha i vetmi që nuk më morën në ekipin e parë. Ehhh, kur je pa mbështetje babi në realitetin tonë është e vështirë....

Këto bërryla dhe pengesa artrificiale na ndiqnin në çdo hap. Duhej të vinte Memushaj që gjërat të shkonin në rrugën e duhur. "Uzuni do të jetë surpriza e Beratit" tha vlonjati, i cili më parë më kishte evidentuar në një ndeshje me të rinjtë si më të mirin e sfidës ndaj Flamurtarit.

Polizoi Kuqo vjen dhe më thotë: "Në orën 14.00 nesër do paraqitesh në stërvitje me ekipin e  parë".

Me Tomorin nënshkrova kontratën e parë si profesionist me vlerë prej 180 mijë lekësh te vjetra në muaj.  Ti si gjithnjë ishe pranë meje në çdo moment duke më dhënë besim dhe mbështetje. 

Ndryshe nga ti që adhuroje Ronaldo Fenoimenin, unë doja Kristianon. Ai ishte modeli për mua, sepse edhe ai e kishte nisur nga zero karrierën me vuajtje dhe sakrifica të mëdha. 

Zhvillova një kampionat shumë të mirë më Tomorin. Ndaj Besës së Kavajës shënova 2 gola, duke rënë në sy të Artan Mergjyshit. Në atë kohë ai ndryshoi ekip duke marrë Apoloninë. 

"E ke akoma Uzunin në skuadër? Më duhet ta marr në Fier", i tha Memushajt. Pasi drejtuesit e Apolonisë paguan 2 milionë lekë të vjetra, u vesha bardh e jeshil. 

Shpërtheva menjëherë, shënova 21 gola, 18 prej të cilave në kampionat. Më kërkonin ekipet më të mira në Supërligë, por kartonit tim i kishin vendosur një shifër prej 150-200 mijë eurosh!

Kur prisja i hutuar dhe me padurim të kaloja te një nga ekipet kryesore, në fund nuk ndodhi asgjë. Kalimi nuk u realizua. Demoralizimi arriti kulmin. Nuk po ndihesha më si më parë. Nuk isha në gjendjen e duhur psikologjike dhe motivi më humbi. 

Por ti ishe gjithnjë aty, pranë meje: "Mos u dorëzo. Përqendrohu dhe jep më të mirën se momenti yt do të vijë", Pashk Laska pagoi 20 mijë euro më pas për të më marrë në Laç. Ishte personi që më riktheu buzëqeshjen, më riktheu shpresën në rrugën time.

Ndoshta babi ky ishte stacioni ku mori kthesë karriera ime. Ndoshta ky ishte momenti kur pengesat artificiale të gjithanshme nuk do mund të më ndalonin. 

Besnik Prenga menaxheri i talenteve të Lokomotivës së Zakrebit nuhati cilësitë e mia. Të kujtohet babi se çafrë na tha?

"E kam prezantuar talentin e Uzunit te drejtuesit e Lokomotivës. Më thanë ska mundësi që paska një talent me këto cilësi. Ku paska qenë ky lojtar?", na tha Prenga. 

Pas ndeshjes për Ligën e Europës, Laska më merr në telefon. "Kjo ishte ndeshja e fundit me ekipin e Laçin. Fati të buzëqeshi, të uroj gjithë të mirat me ekipin e ri në Kroaci".

Nuk e përshkruaj dot kënaqësinë që morëm nga ky lajm. Vuajtjet tona po kompesoheshin në mënyrën më të mirë. Isha i lumtur, po, shumë i lumtur. Jo vetëm se po ngjisja shkallët e karrirës, por mbi të gjitha për ty babi, që deri në atë moment kishe vuajtur aq shumë.

Nën shoqërimin e Prengës u nisëm drejt aventurës së re. Kisha kaluar shumë vështirësi, të cilat më kishin rritur shumë edhe psikologjikisht. Nuk kisha nëvojë të përshtatesha me ambjentin e ri, por menjëherë dhashë rezultate. 

Në çdo ekip kam bërë të njëjtën gjë. Nuk jam dakord kur thuhet që një lojtar do kohë të përshtatet, jo. Ai që ka aftësi nuk ka nevojë për kohë. Situata e vështirë kishte kaluar, por nuk kisha ndërmend të kënaqesha me aq. Kërkoja në çdo moment të përmirësohesha. Në stërvitje dhe individualisht nuk ndalesha së stërvituri. Nuk mjafton vetëm talenti tek një lojtar. Pa përkushtimin dhe mundin nuk arrihet suksesi. 

Më kishe marrë në telefon disa herë. Nuk kisha mundur t'i përgjigjesha thirrjeve të tua sepse po stërvitesha me Lokomotivën. Pasi mbaroj stërvitjen, ti më the disa fjalë që më drithëruan trupin: "Ja arrite bab.... Ëndrra jote e madhe u realizua..... Je ftuar nga kombëtarja kuqezi".....

Uauuuu....Sa herë e kujtoj atë çast emocionohem shumë...

I nisa ëndrrat me flamurin kuqezi, bëja tifozin e çmendur pas kombëtares. Por me lajmin që më dhe ndihesha njeriu më i lumtur në botë. 

Do dëgjoja himnin që të pushton shpirtin, tashmë jo nga televizori apo stadiumi, por nga fusha....

Fale mbështetjes tënde babi që ishe dhe je pranë meje në çdo moment, arrita të bëj për vete interesimin e ekipeve të njohura. "Duam të arrijmë gjëra të mëdha. Grupet e Kupës së Kampioneve dhe kampionati janë dy synimet tona. Prandaj të duam në ekip", ishin fjalët e drejtuesve të Ferencvarosh kur erdhën në Zagreb. Champions League ishte ëndrra ime. Aty luante idhuli. Ishte e vetmja mënyrë që ta kisha përballë. Dhe kjo mundësi erdhi tek unë. Humgarezët paguan 1.8 milion euro duke më bërë lojtarin e tyre.

Duhet të jesh luftërar si një luan për të arritur të mposhtësh pengesat e shumta në karrierën e një futbollisti. Simboli i durimit dhe forcës, luani i gdhendur në urën që ndaj Budën me Pestin më priti me qetësinë e tij. "Arrite të më takosh....", dukej sikur më thonte me qetësinë e tij. 

Ndodhi ajo që ndodhi më pas që në sezonin e parë. Arritëm të bëjmë të pamundurën, u futëm në grupet e Champions. 

Ishte si e shkruar me dorë ajo që do ndodhte. Idhulli im dhe i mbarë botës së futbollit ishte në grup me ne. Do luanim me Juventusin....uauuu. 

 Gol dhe festim përballë Ronaldos. Ëndrra ishte kthyer në realitet...

Imitova festimin e tij për t'i thënë që ishte idhulli, frymëzimi im në ditët më të errëta. Ai ishte motivi për të realizuar ëndrrën. 

Babi... e nisëm këtë rrugë midis vërshtirësive, borxheve, sakrificave të mëdha vetëm e vetëm që të më shihje në fushë si futbollist.

 Babi, falë teje sot njihem si Myrto Uzuni. 

Nuk do i harroj kurrë sakrifacat, vuajtjet, vështirësitë e tua të jashtëzakonshme.

Faleminderit, progresi Uzuni vazhdon.....


Nga

Myrto Uzuni

(futbollist)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!