Nikol MERIZAJ

 



Publikuar më: 20.04.2022

Ndihem mirë mbi ujë, por më mirë nën ujë...

 Ndihem mirë brenda tij sepse takohem me veten, takohem me dashurinë e parë që më shoqëron gjithmonë. Më pëlqen të ndodhem aty, sepse dua të jem një delfin, e shkathët dhe inteligjente nën ujë dhe e sjellshme mbi ujë.

 Në garën e fundit, dy medaljet e arta në 50 metra, ashtu si medaljet e tjera të fituara në kohë janë maja e vetme që njerëzit shikojnë, sepse suksesi është maja më e lehtë për tu parë.

Por arritjet për një sportist nuk janë aspak të lehta.

Kjo fotografi që shikoni poshtë i përket para një dekade, atëherë kur vështirësitë e fillimit ishin të shumta. Atëherë kur lotët më shoqëronin herë pas here. 


Vërtet kam thyer rekorde të njëpasnjëshme, duke qenë prej 10 vitesh në podiumin e notit shqiptar, por duhet të them që në disa gara isha shumë e mërzitur dhe e gatshme për të thënë:

"Stop, nuk mund të vazhdoj dot më. Do e lë garën, do heq dorë nga noti". 

Po, sepse ndonjëherë ngarkesat emocionale që vijnë nga shumë faktorë janë aq të rënda sa mund të bëjnë të dorëzohesh. Por nga krahu tjetër ekuilibri ka ardhur nga dashuria që kam për notin, dashuri që më bën çdo ditë ta dua edhe më shumë. Nuk e lash mërzitjen të më mposhtë, sepse pas një gare jo të mirë ka gjithmonë diçka për të mësuar.

Nuk mund të shpërdoroja lotët e pafund që kam derdhur për të qëndruar pranë ujit. Sepse pranë tij kam qenë që në lindje, madje mund të them se kam lindur me ujin. Them kështu sepse nuk jam ai rasti, ku një fëmijë mësohet nga prindërit për të notuar. Isha ajo çapkënia që qante papushim kur e largonin nga uji, aq sa prindërit e tjerë shqetësoheshin sepse bëhesha shkak që fëmijët e tyre të qëndronin më mua në ujë. 

Duhej të derdhja lotë për 30 minuta me radhë që babi të më dërgonte në pishinë. Prinderit e mi, sidomos babi, nuk mendonin që unë do të isha kampione e Shqipërisë për 10 vite radhazi dhe 2 herë olimpiste. Por brenda meje kjo ëndërr ishte e realizueshme dhe në këtë mënyrë nuk iu ndaja ritualit tim, qaja që ai të vinte dhe të më dërgonte në pishinë.

E kundërta me nënën time. Ajo gjithmonë ka qenë dhe është shtysa më e madhe. Ka besuar tek unë që ditën e parë kur nisa notin. Padyshim, sot të dy prindërit janë shtysa ime më e madhe dhe jam e lumtur që i kam bërë krenar me arritjet e mia.

Gjithmonë kur filloj stërvitjen, çdo shqisë fokusohet aty. Gjithmonë mendoj që jam me fat që po bëj atë që dua dhe që kam gjetur talentin tim. Nuk dua që asnjë sekondë të iki dëm prandaj fokusohem dhe jap më të mirën.

Talenti pa padyshim ka rëndësinë e vet në çdo sport, por serioziteti në punë është baraz me triumf. Nëqoftëse nuk punojmë që të dalim nga zona jonë e rehatisë atëherë triumfi nuk do të jetë shumë i gjatë.

Kam besuar dhe vazhdoj të besoj se Zoti i jep suksesin atij që vërtet e meriton dhe që është munduar për ta marrë atë.

Ky sport është i ngarkuar fizikisht, sepse përplasja e trupit me ujin është një luftë e vazhdushme për sundim. Nëse arrin të sundosh ujin, ke sunduar lodhjen dhe rrjedhimisht rezultatet janë më pranë, ndryshe...

Si pasojë e fitoreve të mia me ujin, në moshën pothuajse 18 vjeçare arrita ëndrrën, Olimpiadën e Rios 2016, ku mbajta flamurin kuq e zi. Them pothuajse sepse torta e ditëlindjes erdhi nga stafi në Olimpiadë, duke më bërë të mundur një festë brenda festës së madhe. Janë momente që një sportist i ëndërron në jetë dhe unë ndihem e privilegjuar që arrita të kem kujtime të tilla, të cilat do më shoqërojnë gjithë jetën.

Katër vite më vonë në Tokio 2020 isha më e rritur profesionalisht, por në 50 metra stil i lirë nuk kisha pranë trajnerin Anastasios. Më mungonte shumë edhe pse u mundova që çdo stërvitje ta kryeja me përpikmeri. Në fillimin e garës ktheva kokën. Në mendjen time ai ishte aty sipër korsisë duke më parë. Realizova një garë ku të gjitha emocionet mu kthyen në energji dhe në fund arrita të thyej rekordin kombëtar.

Padyshim kur nisa notin synimi dhe ëndrra e madhe ishte të shkoja në Olimpiadë. Me kalimin e viteve synimet rriten kështu më është dashur që krahas stërvitjes të fokusohem dhe tek studimet. 

Mendoj se jeta larg sportit është aty, por noti nuk do jetë përgjithmonë. Gjithsesi deri atëherë, sytë e mi do jenë nën ujë si delfini im, që të shikoj drejt suksesit të radhës me qetësinë dhe vrullin që më jep të qenurit nën ujë.

 

Nga

Nikol MERIZAJ

(notare)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!