Perlat Musta





Publikuar më 10.12.2020

Një mik më dërgoi një video në telefon. Ishte një ndeshje futbolli.

Portieri bënte hedhje fantastike përpara sulmuesve të kombëtares gjermane.

U befasova...

U mahnita nga talenti i atij portieri...

Por pas pak sekondash u përmenda.

Atë portier e njihja...

Ishte një djalosh që jetën ia ka kushtuar futbollit..

Ishte...Perlat Musta

Heshta për  një moment dhe mendova:
"Vërtet ky jam unë"?

Vitet kalojnë dhe kur kthej kokën pas nuk besoj që kam kaluar kaq shumë histori me ëndrrën time, futbollin.

Kur kujtoj fillimet e mia mbushem me frymë, ndiej nostalgji.


Jastëku që mbështesim kokën ishte mbështetësja kryesore e ëndrrave të mia. Jastëku ishte topi im i parë në moshën 6-vjeçare. Nuk e lija asnjëherë pa e përdorur në shtëpi. 

Përballë meje kisha dy kundërshtarë.  Ishin prindërit që nuk donin në asnjë rast që të merresha me sport. 

Në kohën kur ëndërroja të isha portier, të kishe një top në dorë ishte ngjarje që të linte pa gjumë. 

Topi im i parë i vërtetë ishte prej llastiku (50 lekësh). E përplasja fort në muret e shtëpisë dhe më pas hidhesha për ta kapur mbi krevat dhe divan.  
Prindërit u bënë me dhimbje koke nga mobiljet e shkatërruar nga përplasjet dhe hedhjet e fëmijës së çmendur pas futbollit. 

Futbolli për mua ishte pritje topi. Nuk e shikoja në asnjë këndvështrim tjetër. 

Flija me topin, diskutoja me të, ëndërroja me të.

Në moshën 10 vjeçare regjistrohem te shtëpia e Pionierit në Vlorë. Narko Saraçi dhe Faik Bajrami ishin trajnerët e parë. Kushtet në shkollë ishin fantastike për kohën. Në spartakiadën midis shkollave në rang kombëtar arritëm të dilnim në vendin e dytë me trajner Skënder Ibrahimi. Në ekip kishim Vasil Rucin dhe Kreshnik Çipin.

Unë isha një djalë pa përkrahje në pasionin tim. Megjithatë edhe pse e shikoja të pamundur, dëshira e fortë për të qenë futbollist më shtyu të konkurroja në Mjeshtërinë Sportive.

Por nuk fitova. Ishim tre portierë të talentuar, por asnjë nga ne nuk fitoi. 

Me shtysën e familjes u regjistrova tek shkolla "Skënderbej" në Tiranë. Prindërit menduan se do isha larg topit me këtë zgjedhje. 

Por fati ishte i destinuar. 

Fati im i madh ishte trajneri Sherif Çeçiku, i cili më afroi në ekipin 'Skënderbej". 

Stërvitesha tre herë në ditë. Ndërkohë më duhej të zgjohesha edhe në 2 të natës nga alarmi i stërvitjes ushtarake.

Mbas një muaji bashkohet me ne edhe portieri Artur Lekbello, i cili do të më shoqërojë për shumë vite në rrugëtimin tim.

Atje vinte shpesh ministri kohës, Beqir Balluku për të luajtur tenis me profesorët. Trajneri gjen momentin e duhur dhe i thotë.
"Kam një portier 14 vjeçar shumë të mirë. Është talent".
"Ouu, pa sille ta shikojmë një herë", tha Balluku.
Si adoleshent e mora me shumë pergjegjësi dhe me shumë emocion këtë fakt. " Hajde më trego sa i zoti je", tha dhe më ftoi të futesha në portë.
Nisi të godiste topat njëri pas tjetrit. Hidhesha si i çmendur. Të ishe përballë një figure të kohës ishte përgjegjësi e madhe.
Duroni edhe pak, i tha Balluku mesuesve, do ta shikoni ku do jetë ky djalë pas disa kohësh!

Pas një viti Beqir Ballukun e arrestojnë, ndërsa unë kisha mbetur në një provim.
Nuk kisha më dëshirë ta rijepja dhe të kthehesha për të vazhduar.
Trajneri këmbënguli, sepse talenti im premtonte shumë për të ardhmen. Për të më bindur, trupi pedagogjik kishte përgatitur përgjigjet e gatshme për të zgjidhur ushtrimet e provimit.
Më premtuan se nuk do të zgjohesha më në orën 2 të natës për të zbatuar rregullat ushtarake. Më thanë gjithashtu se do krijonin një klasë të gjithën për vete. 

Përdorën të gjitha mënyrat që të rikthehesha sërish dhe ia arritën.

Asnjëherë nuk kishte ndodhur të rifilloje sërish te "Skënderbej" nëse kishe mbetur në provim. Për herë të parë më ndodhi mua. 

Bashkohem me ekipin. Të rinjtë nuk përkraheshin shumë në atë kohë.
Në moshën 17-vjeçare kaloj te ekipi i Partizanit, i cili trejtohej nga emra të njohur, si Refik Resmja dhe Panajot Pano.
Në portë tiullar ishte Jani Kaçi, por pas përfundimit të shërbimit ushtarak, ai kthehet në Korçë tek Skënderbeu. U afruan portierë të tjerë, ndërsa unë isha gjithnjë rezerve. 

Durova, e ndieja që momenti im do të vinte.

Në fundin e kampionatit, Partizani luajti një miqësore me një ekip kinez.
Pjesa e parë u mbyll 4 me 0. Byroja politike zbriti poshtë në fushë dhe kërkoi që të mos shënonim më gola. Loro Boriçi ndryshon formacionin ndër të cilët u futa edhe unë në lojë. isha 17 vjeç e 6 muaj.

Partziani nuk po luante fort duke lejuar kundërshtarin të sulmonte. Kinezët godisnin shumë portën. 

Kjo situatë ishte për  mua për të shfaqur talentin. Ishte momenti ku duhej të tregoja veten.  Bëj një paraqitje fantastike. Ndaloj gola të sigurt.

Për sezonin e ri Mikel Janku vendosi veton. Më mbajti në ekip dhe luaj ndeshjen e parë me Partizanin si titullar ndaj Lushnjes të cilën e fitojmë.

Paraqitem shumë mirë disa ndeshje radhazi. Me Dinamon pretendente kryesore atë vit dolëm 1 me 1.
Ballgjini del përpara meje vetëm për vetëm. Kërkon të më driblojë disa herë por nuk arrin. Pas ndeshjes i madhi Ismet Bellova më surprizon me komentet fantastike, të cilat më mbushën me besim për të vazhduar më fort.
Pres dy penallti radhazi ndaj Flamurtarit. Pas ndeshjes i gjithë stadiumi më dhuroi duartrokitje të forta.

Isha 18 vjeç kur më kërkohet të vihem në dispozicion të Vllaznisë për kupën ballknike për klube. Ishte priviligj për moshën time. Zhvillojmë ndeshje shumë të mira ndaj Buduçnos, Titogradit dhe Panathinajkos në Athinë.
Isha shumë i ri, por shkallët po i ngjisja me ritme të shpejta. Pas një viti nga aktivizimi i parë me Partizanin, ftohem edhe nga kombëtarja U 21 me trajner Aleko Pilika. Portieri i parë, Ilir Luarasi ishte më i madh në moshë se unë, por Pilika më besoi rolin e titullarit.
Arritëm në finale me rumunët. Në ndeshjen e parë fusha ishte me akull. 

Shkurtuam thumbat e këpucëve. Na dukej vetja sikur po bënim patinazh dhe jo futboll. U mundëm, ndërsa ndeshjen e dytë e fituam 7 me 1.

Dolëm kampionë të ballkanit.

Në karrierën time më ka lënë mbresa përballja me Sëlltikun për kupën e kampioneve. U paraqitja shumë mirë në "Qemal Stafa".  Në Britani u vumë nën presionin e skocezëve. Na mbyllën në portë minutat e para.

Gjithashtu, me Malmon, nënkampionen e Europës, realizojmë përballje fantastike.

Mezi prisja kombëtaren kuq e zi. Ajo ishte ëndrra e çdo futbollisti.

Duhej të vinin eliminatoret e 82-it. Në ekipin kombëtar Jani Kaçi ishte portier i parë. Pas humbjes 5 me 0, largohet Zyber Konçi dhe Loro Boriçi merr drejtimin e kombëtares.

Më 2 shtator debutoj me kombëtaren ndaj Finlandës. Transformohem si titullar i padiskutueshëm deri në vitin 1987, duke bërë që të harrohej edhe Jani Kaçi.

Në këtë vit vjen momenti absurd që ndikoi në karrierën sportive.

Me Partizanin luaj ndaj Benfikës në kupën e Kampioneve. Në pjesën e dytë kap nje top me planzhon. Lojtari kundërshtar bie mbi mua. Kur ngrihem, gjyqtari me jep karton të verdhë. I buzëqesha me ironi sepse ishte absurditet. 

Pas disa sekondash, shkëmbej topin me Arjanin. Më sulmon sulmuesi kundërshtar. Gjyqtari jep faull në favorin tim por dhe karton të kuq.
"Ke marrë lekë", i thashë kur po dilja nga fusha.
U dënova 5 vite pezullim për ndeshjet ndërkombëtare.
Këto vite më lanë larg ekipit kombëtar.
Ishte si një natë pa yje në karrierën time. Ishte një aga ato momente që askujt nuk do ia uroja në të tilla situata.


Por duhej të prisja me durim që të rikthehesha atje ku  e lashë, në majë.

Në fillimin e viteve 90-të ra muri i Berlinit, rrugët ishin hapur.
Në këtë kohë erdhi momenti për të provuar vlerat jashtë kufijve të Shqipërisë. 

Partizani luajti me rumunët e Krajovës në Europë. Drejtuesit filluan të lidhnin kontakte. Ata kërkuan shërbimet e mia.
Por nuk bëhem pjese e Krajovës, sepse Dinamo e Bukureshtit këmbënguli në formën e vet.
Mua, Demollarin dhe Arben Mingën na kërkuan të firmosnim me Dinamon.

45 mijë dollarë u shpërndanë atë ditë për të tre ne futbollistët. 

Luajta atje për tre vite.

Përveç 15 mijë dollarëve nuk arrita të marr asnjë dollar tjetër nga kontrata. Presidenti i Dinamos së Bukureshtit hyri në krizë fiananciare por edhe në konflikt me shtetin rumun.

Kthehem tek Partizani.
Ekipin e drejtonin italianët. Më kujtohet shumë mirë përballja në kupën Uefa me Fenerbahçen.

Drejtoj dhe realizoj një paraqitje të jashtëzakonshme, por në fund nuk mjaftoi....video.

Çdo fillim e ka një fund. Në ndeshjen ndaj Tomorit pësoj dëmtim në gju. Ky ishte fundi i karrierës si futbollist. 

Në 95, Bajko merr drejtimin e kombëtares, ndërsa unë mar rolin e trajnerit të portierëve, rol që u fut për herë të parë në Shqiperi.

Në kohën e trazirave 97-98 Partizani më thërret ta drejtoj si trajner i parë. Zhvillojmë një kampionat shumë të mirë, ku në përbërje kishin lojtarë cilësorë. Në pushimin e ndeshjes në Elbasan, zbret një grup i armatosur te dhomat e zhveshjeve duke goditur gjyqtarin e katërt dhe ushtruar terror. Këto absurditete ndikuan që në fund të mos ishim ne fituesit e  kampionatin. Si trajner nuk mund të vazhdoja në atë formë.

18 kampionate me Partizanin. 

Lojtari me më shumë prezencë te të kuqtë përpara Panajot Panos dhe Ilir Shulkut. 

Për herë të parë në Shqipëri solla idenë e trajnerit të portierëve, koncept që nuk egzistonte më parë. Ishim mësuar që trajneri i parë të stërviste të gjithë skuadrën së bashku.
Stërvita shumë portierë duke ndjekur gjithnjë një parim. 

Trajneri i mirë është ai që tregon rrugën e drejtë dhe portieri i mirë është ai që kupton rrugën dhe korrigjohet. 

Jo me të gjithë portierët ka funksionuar kjo teori, por me një pjesë ka dhënë rezultate shumë të mira. Beqaj, Hoxha dhe së fundmi Selmani kanë dhënë dhe po japin shumë. 

Selmani ishte vetëm 5 vjeç kur e stërvita. Kishte talent që në atë moshë. Sot Selmani është portieri më i kompletuar në kombëtaren shqiptare. Për mua ai duhet të jetë titullari i portës.

Gjithnjë kur i kujtoj këto histori, mbushem me frymë. Mbushem me frymë, sepse shikoj herë-pas here një djalë 6 vjeçar që tashmë ka kaluar 6 dekada me topin nëpër duar. 

Për këtë fakt ndihem krenar. 

Partizani më dha mbiemrin e madh. Kur erdha fëmijë isha Perlat dhe kur u rrita u bëra Musta.

I jam mirënjohës klubit të madh Partizani për gjithçka që më ka dhënë.
Faleminderit.


Nga

Perlat MUSTA

(ish-portier, trajner)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!