Eldi HYSA

 



Publikuar 03.05.2021 

Sot do shkoj për herë të fundit... 
Po, po...

Nuk e përballoj dot më... 

Basket nuk është sporti që më tërheq...

Nuk e di çfarë ti them vëllait tim, i cili më detyroi ta ndjek, por gjithsesi do gjej momentin e duhur... 

Shkoj me mendimin që do qëndroj për pak kohë pas tij dhe kaq...

Dua futbollin, ai top më tërheq më shumë. 

Këto ishin mendimet e mia që më shoqëronin çdo ditë kur vëllai im Galdi Hysa më detyronte të shkoja me të në stërvitjet e basketbollit. 

Mendimi që të largohesha më shoqëronte çdo ditë. Por nuk ishte e thënë që të bëja ndryshe. Momentin e largimit nuk e gjeta kurrë.

Pa e kuptuar u përfshiva gradualisht në botën e basketbollit. 
Isha 9-vjeç dhe stërvitesha me 16-vjeçarë, pra me kolegët e vëllait.

 Ishte e veshtirë sepse nuk ishte pasioni im. 

Kundër, por pa e kuptuar përmirësohesha çdo ditë në lojën me kosh. 

Trajneri pati rolin e tij që të përqendrohesha përfundimisht tek basket. Niko Stama ishte sistematik. Më angazhonte në shumë stërvitje me ushtrime të ndryshme. 

Ai njohu karakterin dhe egon time, të cilat i shfrytëzoi siç duhet. 

Trajneri bisedonte shpesh me familjen time dhe me ngulm kërkonte që të shkoja rregullisht në stërvitje. 

Në fillim zhvilloja stërvitje vetëm të shtunën dhe të dielën. 

Nga ana tjetër gradualisht mendimi u largua nga futbolli. Me kalimin e muajve, prisja me energji orën e stërvitjes. 

Çdo gjë u bë më e bukur dhe gjeja veten çdo ditë në atë sport. 
Prania e vëllait më bëri të ndihesha më konfident dhe më serioz për tu stërvitur më shumë. "Kur të zbres në fushë krah tij duhet ta ndihmoj dhe jo ta pengoj". Ky siklet më shoqëronte gjatë kohës kur stërvitesha. Galdi u kthye idhulli që më pas doja të kopjoja.

Në moshën 12 vjeçare, Stama më sygjeroi te kaloja me ekipin U-18 të Studentit me trajnerin Kastriot Boshnjaku më priti me optimizëm. U aktivizova sapo shkova dhe ndeshja e parë luhej ndaj kampiones, Tirana U-18 dhe gjithashtu kundër vëllait tim. Kjo ndeshje më bëri të mos kisha emocione sepse më dukej sikur ishte një ndeshje stërvitore ndaj vellait, dhe jo Tiranës kampione. U paraqita shume mirë dhe bardheblutë me trajner Arjan Kristanin me afruan më pas të bashkohem sërish me ta në atë moshë. 
Pozicioni im ishte organizator ( playmaker) dhe niveli aty ishte krejtesisht tjeter nga çfare unë isha mësuar. Në moshën 14-vjeçare po ushtronim stërvitje me ekipin.

Trajneri me një listë që kishte përpara duarve nis të lexojë. Ai shqiptoi emrin tim. Kombetarja e Shqiperise U-16 do të grumbullohej, dhe unë isha pjesë. Mezi po prisja të shikoja lojtarët më të mirë të Shqipërise në atë kohë për moshat.
Trajneri malazez Nikola Milatovic na mësoi një basketboll komplet tjetër nga çfarë kishim mësuar. Përvetësuam bazat elementare deri tek përgatitja fizike. Por në çdo ndeshje humbisnim shumë thellë me rezultat dhe nuk ishim të aftë as të tentonim të gjuanim në kosh me ekipet e forta. Sado përpiqeshim, rezultati do ishte po njësoj, një humbje e thellë. Kjo na dëmtonte shumë moralisht.
Vitet e mia të fundit me kombëtaren e moshave U-20 ndryshuan.Të gjitha këto momente negative jo vetëm që më ndihmuan të përballnim si të barabartë me çdo shtet tjeter, por madje filluam te fitonim ndeshje dhe të ishim superior ndaj tyre. Me pas shijova ngjyrat kuqezi të kombëtares së madhe. Ftesa erdhi në Portugali kur luaja me U-20. Ishte privilegj.
Topin e basketbollit në fillim nuk shikoja dot, por më pas ai u bë pjese e imja, e merrja kudo me vete, në shkollë, në rrugë, në klasë, madje dhe në krevatin e gjumit. Sa herë tentoj sot të zhys topin në kosh më kujtohet vetja dhe stërvitja kur isha i vogel. Përpiqesha të bëja kosha si ato që shikoja në NBA. Sigurisht që nuk i arrija, por asnjëherë nuk ndaloja së provuari. Kur i realizoj sot me kujtohet se sa shumë përpiqesha.
Tashmë jam pjesë e Tiranës dhe kombëtares prej shumë vitesh. Këtë nivel e arrita jo vetëm falë përkushtimit në stërvitje por edhe falë mbështetjes nga kolëgët. Gerti Shima, Red Vogli, Erin Hasani, Majk Vaqarri, Genti Lasku, Endrit Hysenagolli, Marlin Sukaj, Gerti Gjonaj, Bruno Daliu, etj më kanë qëndruar pranë që kur isha i vogël. Një rol të rëndësishëm ka edhe trajneri im aktual Erkand Karaj, i cili më ka afirmuar dhe mbështetur. Më duhet të them që përgatitja fizike për sportin e basketbollit është tepër e rëndë dhe e vështirë, pasi ka shumë atribute që duhen përmirësuar.
Gjatë rrugës së karrierës mësova të isha atlet, i shpejtë, teknik, energjik dhe mbi të gjitha i fortë psikologjikisht. 

E nisa me bezdi dhe pa dëshirë karrierën, ku në çdo çast mendoja të largohesha nga topi i basketbollit. Por nuk ishte e thënë. 

Këmbëngulja e familjes sime udhëhequr nga vëllai më nxorrën në pah cilësitë e këtij sporti, të cilat po i shijoj në mënyrën më të mirë sot.

Nga
Eldi Hysa
(basketbollist)





Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!