PUBLIKUAR MË 27.01.2021
Shpesh më pyesin, pse pikërisht futbolli, pse pikërisht një sport mashkullor?
Ndoshta në fillimet e mia ende nuk më ishte injektuar në gjak kaq shumë dashuria për futbollin, por tani e di që është e vetmja ndjenjë që nuk do të më zhgënjejë kurrë në jetën time.
Me bindje them gjithashtu që familja ime është krenare për vajzën e tyre, e cila po ndjek pasionin me krenari. Them kështu, sepse kam arritur shumë, në një vend ku ende mentaliteti për femrat në sportin e futbollit ekziston si pengesë edhe pse në nivel më të ulët se sa disa vite më parë.
Kur shikoj rrugëtimin tim mbushem me frymë dhe kënaqësia më pushton trupin. Edhe sot pas pothuajse 8 vitesh eksperiencë si futbolliste, ende i ndiej emocionet e ndeshjeve, ende më duket sikur e shkel për herë të parë barin e shtëpisë së gjelbër. Por nuk ka qenë e lehtë, asgjë nuk më është dhuruar në rrugën time.
Por sigurisht që nuk mund të lë pa përmendur Kol Kamshin, ish trajnerin e Tirana AS. I ri në moshë por shumë punëtor, dhe shumë i vendosur.
Kalimi te shumë ekipe më ka rritur profesionalisht. Me KFF Hajvalia ruaj kujtime shumë të bukura kur luajtëm në kupën e kampioneve.Në Shqipëri në sezonin 2018-2019 me Tirana AS zhvilluam një kampionat vërtet dinjitoz duke u renditur në vendin e dytë dhe duke kaluar në finalen e kupës së Shqipërisë. Pas disa bisedave me miqtë e mi, rastësisht më sygjeruan të bëhesha pjesë e skuadrës së Partizanit, i cili u krijua vitin e kaluar.
Jam e lidhur shumë me këtë klub edhe pse origjina ime është nga Kukësi. E veçanta e klubit të kuq janë tifozët. Unë jam njëra prej tyre. Tifozët janë oksigjeni i çdo ekipi, lojtarët dhe stafi ndërrohen por tifozët kurrë. Ata janë shëmbëlltyra më e mirë e çdo ekipi. Dhe sigurisht fjalët e tyre mbështetëse për mua apo për ekipin janë një shtysë më shumë për të arritur objektivat e klubit. Me kalimin te Partizani shpresoj të arrij kombëtaren dhe ta përfaqësoj në ndeshjet zyrtare. Në ndeshjet miqësore me kuqezinjtë ndjesia nuk kishte të përshkruar.Mendimet nuk më turbullojnë për zgjedhjen e bërë. Nëse do të kthehesha pas në kohë e të më pyesnin nëse do e rinisja sërish me futbollin, përgjigja ime sigurisht do të ishte një PO e madhe. Fusha është shtëpia ime e dytë sepse përveç familjes, aty është vendi tjetër ku ndihem e plotë, aty jam vetvetja, aty ku këmbët vrapojnë me sytë e zemrës e me shpirtin që nuk dorëzohet kurrë.
Më është dashur shumë punë, shumë sakrificë, shumë “luftë” për të arritur këtu ku jam. Alex Morgan dhe Fernando Torres janë dy nga idhujt e mi të cilët janë si udhërrëfim në karrierën sportive.
Gjërat kanë ardhur duke u përmirësuar. Futbolli i femrave po merr më shumë mbështetje, vëmendje, e kjo është një gjë shumë e mirë për brezin e ardhshëm.Vajzave të reja që duan të ndjekin ëndrrat e tyre u them të ndjekin zemrën e të luftojnë me shpirt për qëllimet e tyre sepse vetëm atëherë do i'a dalin mbanë. Pengesa do të ketë, zhgënjime, lëndime etj, por dashuria për futbollin do u bëjë ballë të gjitha sfidave. Nëse nuk keni fuqi të vraponi, ecni me zemër.
Nga
Rabie TOTA
(futbolliste)
Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com
Kujdes!
Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit
si informacion, është rreptësisht i ndaluar!