Redon XHIXHA






Publikuar më 18.02.2021

Ekziston gjithnjë një luftë midis pasionit dhe arsyes. Në një moment të caktuar të dyja përplasen më njëra-tjetrën dhe papritur je i detyruar të bësh një zgjedhje.
Por cilën zgjedhje duhët të bësh?
Janë shumë faktorë që ndikojnë, por në fund fiton zgjedhja që bën njeriun të ndihet i plotësuar.
Isha një nxënës ekselent në shkollë. Krahas mësimeve ushtroja dhe pasionin tim, futbollin.
Vëllai më mbështeste shumë që të futesha në botën e futbollit, por babi donte që të vijoja ekselencën e treguar në mësime.
Vëllai më vëzhgonte gjithnjë kur luaja me shokët. Luaja edhe me të në shtëpi. Një ditë ai i tha prindërve se unë duhej të regjistrohesha në akademinë  e futbollit.
Aty nisi "lufta e nervave". Im atë nga njëra anë këmbëngulte se zgjedhja e duhur ishte edukimi i arsyes, ndërsa nga ana tjetër me vëllain mbronim pasionin. Në fund babi bindet që unë duhet të provoja futbollin. "Nëse dëshiron të shkosh, mund të shkosh", më tha. Dhe kështu ndodhi. Midis shkollës dhe pasionit, zgjodha ëndrrën e miliona fëmijëve, pra të bëhesha futbollist.
Në moshë të vogël nuk e dija se çdo të thonte futboll. Thjesht, kur shikoja ndeshje në TV bëhesha tifoz me ekipin që kishte uniformën më të bukur. Ndeshjen e parë që kam fiksuar ka qenë finalja e Champions League, Milan - Liverpool, 2 me 1.
Luaja gjithë kohës me shokët dhe shpesh herë detyrat  e shtëpisë i bëja në orët e vona të natës ose zgjohesha ditën e nesërme herët nga gjumi për ti përfunduar. E doja shumë edhe shkollën. Doja t'i bëja të dyja, por koha që duan në dispozicion nuk ishte e mjaftueshme për të dyja.
Dalloja në shkollë, por regjistrimi më vonë në akademinë e futbollit ishte një ëndërr e realizuar.
Babi dhe daja më regjistruan në Akademinë e futbollit Shkëndija. Trajneri i parë ishte Cako Elmazi të cilit i jam mirënjohës për kontributin e dhënë në formimin tim.
Vitet kalonin, ndërsa dëshira për tu bërë profesionist sa vinte e shtohej.
Më Shkëndijën e Tiranës kam ndierë emocion të veçantë. Por falë rrethanave arrita ta kaloj atë moment duke shënuar dhe gol.
Aty u rrita si futbollist. Me U-17 dhe U-19 u shpalla golashënues i kampionatit. Një arritje që më shtynte edhe më shumë drejt ambicjeve që kisha.
Falë përgatitjes në akademi, kalimi në Laç si futbollist profesionist nuk ishte i vështirë sa i takon ambjentimit.
"E ke vetë në dorë tashmë që të stërvitesh dhe të luash. Çdo gjë varet nga ty", këto ishin fjalët e drejtuesve të Laçit pas firmosjes së kontratës.

   
Aktivizimi në ndeshjen  parë me kurbinasit ishte kundër kampionëve në fuqi, Kukësit. Stavri Nica më aktivizoi që në fillim. Luajta 90 minuta, por në asnjë çast emocionet nuk u larguan nga unë.  
Sigurisht nuk ka qenë fushë me lule dhe vështirësi kam pasur shumë në fillim. Por fati im ishte që kisha në ekip Sefgjinin që më ka mbajtur afër që ditën  parë që shkova në Laç. Me këshillat  e tij i kam kaluar të gjitha pengesat që gjithnjë janë prezente tek një i ri.
Në stërvitje përpiqesha të jepja më të mirën, por sigurisht dhe talenti me ka ndihmuar të fitoj vendin e titullarit.
Goli im i parë në superiore kundër Vllaznisë është ngulitur fort në kujtesën time. Ai është si ogur në karrierë, e cila më pas u ndoq edhe nga ngjarja më e ëmbël për një futbollist, ftesa në kombëtare.
Ky moment më emocionoi mua dhe gëzoi pa masë familjarët  e mi.
Ndeshja e parë me kombëtaren kundër Turqisë ishtë një ëndërr tjetër e kthyer në realitet.
Të përballesh ndaj një skuadër të huaj është një ndjesi ndryshe dhe shumë tërheqëse. Në përballjen ndaj Hapoel Ber Sheva në Laç për Ligën e Europës ruaj kujtimet më mbresëlënëse.
Futboll për mua është kulturë. Si i tillë bën që çdo ngjarje "negative" të harrohet shpejt në këtë lojë të bukur.  Futbolli është sporti më i bukur në botë dhe pasioni që kam për të s'do të ketë fund.

Nga

Redon Xhixha

(futbollist) 

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!)