RRËNQETHJE





Publikuar më: 26.05.2021

Hap derën e dhomës së gjumit dhe nisem me shpejtësi drejt asaj të ndenjes.

 Ulem mbi divanin e fortë me sytë nga televizori me ngjyra.  

Bluzat e bardha ishin në sulm dhe fanellat portokalli po mbroheshin. 

Pyes gjyshin se kush po luante. 

Gjermania dhe Hollanda më thotë gjyshi, i cili e shikonte me ftohtësi atë që po ndodhte në fushë. 

Në pak minuta më nisin të dridhurat nga emocionet...gjermanët më bënë për vete. Doja që ata të shënonin... 

Pa e kuptuar, "ekipit serioz" i ishte shtuar një tifoz. 

Përpiqen, por nuk arrijnë të barazojnë. Papritur arbitri bie bilbilit dhe të gjithë lojtarët ndalojnë. Disa qajnë, të tjerë gëzojnë.  

Pyes gjyshin se kur do riniste ndeshja. 

Ai më tha se Gjermania u eliminua dhe ndeshja nuk riniste më. 

Trishtohem shumë dhe vrapoj drejt dhomës. Shtrihem mbi krevatin dopio të prindërve dhe filloj të qaj. 

Qaja pa zë, me fytyrën e ngulitur në dyshekun mbi sustë. Lotët nuk kishin fund atë natë.

Isha bërë një tifoz i Gjermanisë, ashtu sikurse shokët e mi adhuronin Italinë, Brazilin, Argjentinën dhe Hollandën. 

Futbolli ishte një ëndërr shumë  e bukur që doja ta jetoja. 

Pas shkolle shkoja shpesh te klubi Partizani. Mikja e familjes, kryeguzhinierja e klubit nuk kujdesej vetëm për sportistët, por edhe për mua. 

Doja të bëhesha futbollist. Mu dha ajo mundësi, por nuk kisha talentin e duhur. Më thanë të provoja atletikën. Por jo, doja futbollin.

 Ashtu i mërzitur dhe me çantën në krahë u ktheva me ëndrrën e thyer pa nisur ende. Zhgënjimi po më shoqëronte derisa në mesin e rrugës ndalova. 

I thash vetes: Të paktën do jesh tifoz, këtë nuk do ta mohojë askush. 

U çlirova dhe vrapova i gëzuar për në shtëpi. Duhej të prisja dy vite që zhgënjimi të largohej nga sytë e mi. Mateus me shokë ngritën kupën e Botës në Romë. 

Vitet kaluan shpejt dhe Gjermania erdhi në Shqipëri. 

Me vështirësi sigurova biletën e jetës. 

Stadiumi Qemal Stafa ishte i stërmbushur. Stolat prej betoni që ndaheshin nga një vizë boje mbanin mbi supe shumë më shumë nga kapaciteti. Tifozët u ngjeshën aq shumë më njëri-tjetrin sa nuk mbeti më asnjë hapësirë.

Të gjithë shikonim me adhurim lojtarët gjermanë në nxemje. Ishte një ëndërr për të gjithë ata që ndodheshin aty. I kishim parë vetëm në televizor. Kujtonim sikur ishin ndryshe nga ne, por jo. Ata ishin njerëz si ne.

Dilema ishte se për kë duhej të bëja tifoz. Me Shqipërinë apo Gjermaninë!?

 Loja vazhdoi. 

Çdo prekje topi nga lojtarët tanë na shtynte të çoheshim të gjithë në këmbë. Këtu nisi dilema ime e dytë. 

Të ngrihesha në këmbë apo të qëndroja në vendin tim. Nëse do ngrihesha, do shikoja më gjatë aksionin, por nga ana tjetër rrezikoja të humbja vendin e ndenjes. Ishim aq të ngjeshur me njëri-tjetrin saqë sa herë kishte aksione nga tanët dikush do qëndronte në këmbë pas aksionit. Duhej të qëndroje në këmbë pa u ulur deri sa të vinte aksioni tjetër. 

Vendosa të ngrihem nga vendi. Ishte goditje dënimi për Shqipërinë. 

Zmijani ekzekuton bukur, topi përfundon në rrjetë.....

Stadiumi shpërthen, bashkë me të edhe unë. 

Uauuu....

Nuk e kisha menduar në asnjë rast që do merrja një kënaqësi kaq të madhe nga kombëtarja ime. Ishte një festim që buroi nga gjaku.

Tifozi nuk është arsyetim, por ka të bëjë me diçka që shkon përtej. Dhe ky mësim mu dha në atë moment.

Ai gol dhe ajo atmosferë theu dogmën e tifozit shqiptar. Shqipëria ishte ekipi i zemrës. 

Më pas u mësova shpesh me ndeshje dinjitoze nga kuqezinjtë. Kishim shumë lojtarë të talentuar, por jo skuadër që të funksiononte si grup. Luanim bukur por në fund nuk mernim rezultatin që prisnim.

I nisnim me vrull takimet dhe kualifikueset,  por gjunjët na linin gjithnjë takimeve të para edhe pse dëshira ishte e madhe.

Luanim ashtu, gjithsecili për vete dhe asnjë për të gjithë. Fenomen normal për një ekip si Shqipëria në atë kohë tranzicioni. Brezat e lojtarëve zëvendësuan njëri tjetrin, deri sa u formuan kushtet për një ekip pretendent. 

Grumbullimi i talenteve nga e gjithë Europa ishin gurët e parë të ndërtimit të një ekipi që në thelb kishtë kultivuar në vite gjënë më të rëndësishme, ëndrrën.

Më kujtohet mirë triumfi në Loro Boriçi kundër Rusisë. Një fitore që bëri mijëra tifozë të ëndërronin kualifikimin. Ai ishte një shenjë, e pasuar nga shenja të tjera më pas. Por thjesht kaq. 

Duhej të vinte Portugalia dhe me golin në transfertë të niste shpresa.

Në fakt ishim mësuar me fillime të tilla dhe besimi ishte relativ. 

Ishte relativ deri në momentin kur fluturuan herojtë kombëtarë mbi kokat e lojtarëve në Beograd. Kjo ishte shenja që simbolizoi udhëtimin e shqiponjës drejt Europianit.

Himni i parë shqiptar në një kompeticion, lojërat fantastike dhe fitorja në sfidën e fundit në grup plotësuan 
tablonë e pritjes së gjatë. 

Festimi i lojtarëve pas triumfit me Rumaninë është kartolina më e bukur sot për një tifoz shqiptar.


Ajo është kartolina më e bukur për të gjithë lojtarët e kombëtares në vite. Të gjithë lojtarët dhe trajnerët ndër vite kanë kontribuar me djersën dhe përkushtimin e tyre në realizimin e ëndrrës së madhe.
Po të vëzhgohet me vëmendje fotoja e kopertinës, çdo njeri mund të shikojë historinë e tij personale si futbollist dhe si tifoz midis radhëve të atij gëzimi. 

Ky është momenti kur britma kuqezi rrënqethi trupat dhe shpërtheu pritjen e mbarë kombit shqiptar.

Ëndrra vazhdon .... 


Nga 

TalentiSportiv

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!