Saimir PATUSHI





Publikuar më 11.03.2021

Hap çantën sportive i hutuar totalisht. 

Nisa të vesh uniformën për të zbritur në fushë...

Ishte ndeshja e parë e imja si profesionist në Superligë...

Por ç'të shoh, uniforma ishte, por këpucët nuk ishin aty!

Trajneri kishte caktuar formacionin, isha titullar, ndërsa në çantë nuk ndodheshin këpucët me taka...

Djerësët e ftohta nisën të më dalin nga i gjithë trupi.

Hutimi dhe emocionet kishin bërë të veten.

Çanta ishte me dy shtresa, ku në pjesën e sipërme qëndronte uniforma ndërsa në të poshtmen këpucët.

Po kërkoja këpucët tek pjesa e uniformave.

Uffff, pasi gjej këpucët marr frymë lirisht...

Vishem. Më dukej sikur hoqa një barrë të rëndë. Por emocionet nuk kishin fund në trupin tim. Ishin ato shkaku i çorientimit.

 Zbres për herë të parë në fushë me Partizanin e Sulejman Starovës. 

Përballë ishte Lushnja e famshme e Mario Kempes me emrat e njohur si Malko, Bano etj. Stadiumi Selman Stërmasi ishte mbushur totalisht. Nëpër pemët rreth tij kishte tifozë pa fund. Atmosfera ishte e jashtëzakonshme.

Emocionet më shoqëruan gjatë gjithë kohës. Nga fundi i takimit, marr një top nga krahu i majtë, krosoj lirshëm në zonë dhe aty Milori i jep fitoren Partizanit. 

Ndeshja e parë dhe asist. Nuk kishte si të nistë më mirë karriera ime si profesionist...

Këto janë momente që përsëriten vetëm një herë dhe të ngelin si fotografi gjatë gjithë jetës. 

Kur e kujtoj sot këtë moment më jep shumë emocion. Gjithsesi futbollist nuk u bëra atë ditë.

Në moshë të vogël familja ishte mbështetësja kryesore që të merresha më sport. I lindur në Burrel, futbolli ishte sporti me të cilin të gjithë fëmijët argëtoheshin nëpër rrugët e lagjëve. Njëri prej tyre isha dhe unë. 

Regjistrohem në klasën sportive me dëshirën e madhe për tu bërë një futbollist profesionist. Vështirësitë e fillimit kanë qenë në shumta, sepse të bëhesh sportist është sakrificë që përfshin të gjithë familjen.

Pasi shkëlqeva si fëmijë i talentuar u përzgjodha të isha pjese e akademisë së skuadrës së qytetit.

Trajneri im i parë te 31 Korriku ishte Besnik Hoxha, i cili pati ndikim në rritjen time si futbollist. Kalimi në shkollën Loro Boriçi më prezantoi me Aurel Verria. Trajnerët e mëvonshëm si Ramadan Shehu, Leonard Liti, Adem Agolli ndikuan në rritjen time sportive. Tek U-19 u stërvita nga Besnik Çela.

Me të rinjtë kisha talentin e duhur për të hedhur hapin e rëndësishëm drejt kombëtares. Medit Haxhiu më afroi me te rinjte. Një sukses të jashëtzakonshëm arritëm duke mundur Portugalinë. Një sezon që ka mbetur jo vetëm në memorien time, por edhe në historinë e futbollit tonë.

Fillimi i karrierës ka qenë i vështirë. Pas sezoneve të para me Kastriotin, Partizanin dhe Burrelin kalova në Serbi. 

Nga Shqipëria kisha mundësi të shumta, por rastet nuk ishin të volitshme për karrierën dhe pritshmëritë e mia.


Kthehem te Vllaznia për dy sezone dhe më pas kaloj te Tirana e viteve të arta. 

Prezantimi i parë me këtë ekip ishte ndryshe nga të gjitha skuadrat ku kisha luajtur deri në atë moment. Në atë ambjent rezultatet konsideroheshin detyrë, sepse ai ekip ishte dhe është pretendenti kryesor për fitimin e çdo trofeu të mundshëm në Shqipëri. 

Trajneri Fatmir Frashëri ishte simboli i personit për këtë sport jo vetëm për klubin Tirana, por për të gjithë futbollin shqiptar. Ai nuk ishte thjesht një trajner, por mbi të gjitha një person i jashtëzakoshëm. 

Duke nisur nga kapiteni dhe duke përfunduar tek lojtari i stolit, të gjithë ishim të barabartë dhe nuk ekzistonte gjenerali. Natyra ime grintoze dhe kërkuese në stërvitje dhe fushën e lojës krijonin idenë që unë isha komandanti i ekipit. 

Por jo, Tirana nuk ka patur asnjëherë gjeneral apo komandant, sepse emri i këtij klubi është mbi të gjithë. 

Me punë dhe përpjekje të vazhdueshme arrita të isha një lojtar i vlerësuar. 

Me Tiranën kalova vitet e mia të arta duke fituar trofe të shumtë. Kur zbrisja në fushë isha totalisht i përqendruar për të dhënë gjithçka. 

Natyra ime i shkonte përshtat atmosferës që duhej në një skuadër. Me grintën nga njëra anë dhe batutat dhe shakatë nga ana tjetër ndikuan drejtpërdrejtë në harmoninë në grupin e lojtarëve.

Derbet ndaj Partizanit mbeten në memorie jo vetëm për emocionet që ata përcollën tek unë, por edhe për sjelljet e mia, të cilat sot e kësaj dite mbeten aktuale.

"Ik,ik, ik" ishte slogani i shkurtër në bluzën time që shfaqa pas triumfit ndaj të kuqve. Kjo shprehje u përdor dhe përdoret ende nga tifozët në stadium. Ishte një çmenduri e momentit kur vendosa të shkruaj këtë në bluzën poshtë fanellës. E huazuar nga politika e kohës, kjo shprehje zuri vend në tifozerinë bardheblu.

Serish ka qenë derbi dhe atmosfera që krijohej, shkaku që nxiti instiktin tim për të realizuar një simbolikë tjetër.

Pas ndeshjes së fituar ndaj Partizanit, nisem drejt parrullës së KESH-it në stadium, e palos dhe thënia doli ashtu sikurse unë doja. "Paguaj që të kesh", mesazh ndaj presidentit të Partizanit të kohës. 

Këto momente kanë mbetur të sigluara në memorjen dhe adrenalinën time.

Çdo fillim e ka një fund. Nisja e karrierës së futbollit mbështetet nga familja dhe gjithashtu dhe fundi vjen pas diskutimit në familje. Ishte kohë e vështirë për futbollin dhe unë vendosa jo pa vështirësi të largohem në moshën 32 vjeçare, duke marrë me vete kujtime mbresëlënëse nga ky sport magjik.

Me bashkëshorten kemi tre djem. Në çdo kohë kur shkonim për të parë fëmijët në eko, lutesha që askush të mos merrej me futboll. 

Kjo tingëllon çuditshëm duke patur parasysh karrierën time si futbollist. Por për një lojtar është shumë e vështirë dhe një sakrificë e jashëzakonshme për të ushtruar këtë rrugë. Nuk është asgjë ashtu sikurse duket, pasi vështirësitë sidomos në realitetin tonë kanë qenë dhe vijojnë të jenë të shumta për të apasionuarit e futbollit. 

Djali i madh Helio tashmë e ka gjetur rrugën e tij jashtë futbollit. Lutja ime në këtë rast u plotësua. 

Djali i dytë, Oni e ushtron futbollin. Ai e ka ëndërr dhe mua nuk më mbetet gjë tjetër vetëm ta mbështes dhe ti uroj që ti realizohet pasioni.  Ndërsa Xhoel është në fazat e tij të zgjedhjes.

 Gjithsesi, nuk kam ndikuar në asnjë rast që ata të bëjnë zgjedhjen që unë dëshiroja. I kam lënë të lirë të gjejnë vetë rrugën e tyre. 

Pavarësisht dëshirës sime për fëmijët e mi, ndiej detyrim shpirtëror të falenderoj futbollin për gjithçka që më ka dhënë në jetën time.  


Nga

Saimir Patushi

(ish-futbollist)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!