Sotir QIRIAQI



Publikuar më 17.01.2021

I demoralizuar zbres shkallët e bashkisë. Papritur isha i papunë. 

54 vjeç dhe nuk dija çfarë të bëja më me jetën time. 

U detyrova të mos blija paketën e cigareve dhe gradualisht u futa në depresion. 

Në moshën që isha më dukej sikur çdo gjë kishte marrë fund. 

Pas pak kohësh i zhytur në zhgënjim dhe i pashpresë, ashtu i kërrusur dal nga kodrat e liqenit artificial. 

Papritur shikoj një tablo ndryshe nga bota e krijuar shpirtërore.

Shikoj buzeqeshje, hare, dhe vrapime pa fund. Jeta vazhdonte në çdo hapësirë, duhej të hapja sytë dhe të kërkoja timen. 

Nisa të lëviz për të rikthyer kohën time. Ato momente më larguan gjendjen e rënduar psikologjike. 

Nisa ti shikoj gjërat ndryshe.

Viti 2000, 54 vjeç, por këmbët e mia nisën vrapin, ata nuk e ndienin moshën, ndoshta edhe nga zhgenjimi i madh që kisha brenda vetes.

Nisa të vrapoj pa pushim. Shpeshherë thoja, "sa dëm e paskam çuar jetën". Kisha rendur pas gjërave të mëdha, duke harruar të vlerësoja dhe jetoja gjërat e vogla.

Vrapimin e transformomava në pjesë të jetës. Përditshmëria nuk kishte kuptim pa të te Kodrat e Liqenit. 

Njerëzit më shikonin çuditshëm. "Çfarë kërkon ky plakush që endet duke vrapuar"? 

Ata nuk iu besuan syve kur vendosa te marr pjesë në Maratonën e parë në Tiranë dhe Maratonën e parë jashtë Shqipërisë.

Kisha gjetur veten. Nga ajo kohë, numëroj me qindra maratona në të gjithë botën. 

Në 2007 u përzgjodha një nga 10 personazhet e kryeqytetit nga kryebashkiaku Rama, një vlerësim që ende sot e kujtoj me nostalgji. 

Medaljet ndërkombëtare kanë pushtuar shtëpinë time këto 20 vite.

Kur shëtis me bashkëshorten te rruga e Kavajës, më kujtohet koha kur ëndërroja të bëhesha futbollist. 

Për shumë vite u stërvita me moshat, por kjo ëndërr nuk u kthye në realitet. Sot që e shikoj veten krah emrave të njohur sportivë me famë në hapësirën e talentsportiv, ndihem i plotësuar.

I plotësuar, sepse prej 20 vitesh vazhdoj të përcjell mesazhin e duhur te të rinjtë që të largohen nga veset.

Këtë mesazh do vijoj ta promovoj sa të kem frymë. 

Vrapo sa je i shëndetshëm, sepse nëse bëhesh keq do detyrohesh të vraposh. 

E thënë nga një 74 vjeçar që prej 20 vitesh nuk ndalon së vrapuari, kjo këshillë merr vlerën e duhur.


Nga

Sotir Qiriaqi

(maratonist)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!