Suada JASHARI

 

 


Publikuar më 06.08.2021

Në stërvitjen  e parë në sytë e vajzave, me të cilat para pak kohësh ishim kolege në fushë, kuptova se sa shumë kanë ndryshuar gjërat në futbollin femëror. 

Kur je pjesë e një procesi nuk e ndjen shumë ndryshimin sepse je në përjetim e sipër. Ndërsa kur gjendesh në një këndvështrim tjetër atëherë të duket krejtësisht ndryshe. 

Para pak kohësh guxova të bëj një zgjedhje të shpejtë. Duhej të lija futbollin e luajtur dhe të merrja drejtimin e Mitrovicës, duke lënë pas një rrugëtim të gjatë të përshkruar midis emocioneve të shumta me kombëtaren dhe me klubet. 

Kohët sot kanë ndryshuar, nuk është më si më parë, kur krahas mungesën së kushteve duhej të luftonim edhe kundër paragjykimeve dhe mentalitetit pengues. Më besoni, ishte çmenduri të merreshe me futboll në fillimet  e mia. Më është dashur të luftoj edhe me mentalitetin e familjes sime kur hodha hapat e parë. Ata ishin kundër sepse nuk e konceptonin dot që vajza  e tyre të luante një sport mashkullor.

Por ajo lojë më  tërhiqte më shumë se çdo gjë. Guxova të ndiqja pasionin që të bëhesha futbolliste. Çdo ditë luaja më shokët e lagjes si vajzë e vetme midis djemve. Luftoja për çdo top pa u kompleksuar nga gjinia, por e shtyrë fort nga pasioni dhe talenti që kishte lindur brenda meje. Këmbëngulja bindi gradualisht edhe familjen,  e cila më pas u transformua në mbështetësen kryesorë. 

Në Kosovë nuk kishte ligë kur nisa të luaj. Ishin vite të vështira. Ekipi i parë që u formua u quajt Kosova e Prishtinës. Dëshira dhe vullneti i madh i Agim Ademi bëri që të afroheshin shumë vajza që e donin futbollin.  Krijimi i këtij klubi më hapi dhe mua dyert, nga ku mori udhë rrugëtimi si futbolliste në moshën 16-vjeçare. 

Karakteristikat si lojtare shikoheshin si të veçanta në sytë e trajnerëve. Luaja me këmbën e majtë dhe kjo ishte arma e fortë e talentit. Teknika, vizioni i lojës dhe golat e shumtë, më pas më transformuan në lojtare që më donin shumë në ekip. Trajnerët më vlerësonin por u mondonin të më mbanin me "këmbë në tokë". 

Në fillim zhvillonim vetëm ndeshje miqësore me ekipet nga Maqedonia e Veriut dhe me ekipet e meshkujve. Gradualisht u formuan ekipet e tjera dhe liga e Kosovës. Titulli i parë i fituar në ligën e Kosovës më duket sikur e kam fituar dje. Ishte një emocion i jashtëzakonshëm si pasojë e shumë faktorëve që më shoqëruan deri në atë pikë. Pas disa vitesh në adresën time vjen një kërkesë nga presidenti i Vllaznisë, Lazer Matija, i cili këmbënguli që të shkoj të ekipi shkodran. Ndjenjë e veçantë.

Një emër i madh i futbollit në Shqipëri kërkonte të vishja fanellën si lojtaren e saj. Prej katër vitesh arrita të marr kujtimet më të bukura me këtë ekip, ku fitova kampionate, kupa dhe arrita pjesëmarrjen e parë në Ligën e Kampioneve. Të luash në një qytet që e don aq shumë futbollin është privilegj edhe për një futbolliste. Në Kosovë me Mitrovicën vijova me suksese të tjera, tituj dhe pjesëmarrje në Ligën e Kampioneve duke u renditur midis 32 ekipeve më të mira europiane.
Por futbolli nuk është vetëm sukses. E kam ende të freskët zhgënjimin ku humbëm titullin kampion me Kosovën e Prishtinës vetëm në fund, apo moskalimin e grupit me Vllazninë në Ligën e Kampioneve në sezonin tim të parë në Shkodër. Futbolli prandaj është i bukur, sepse emocionet janë të ndërthurura me njëra-tjetrën. Gjithsesi, paragjykimet si në Kosovë dhe në Shqipëri janë identike, sepse në gjak jemi shqiptar dhe e kemi të vështirë të pranojmë risitë e kohës. Këmbëngulja dhe guximi i vajzave që e duan futbollin e ndryshoi dhe po e ndryshon shumë këtë përceptim dhe sot që po flasim futbolli i femrave ka njohur vetëm progres. Ka ligë në Kosovë ashtu edhe në Shqipëri, ka dhe ligë për vajzat U-16, ekipe që marrin pjesë në ligën e kampioneve. Të dy vendet kanë kombëtaret e tyre për mosha dhe të rritura. Me pak fjalë futbolli i femrave ka avancuar gjithmone, kjo falë njerëzve që investuan shumë dhe patjetër dhe falë mbështetjes se federatave përkatëse. Jam një nga lojtaret e para në Kosovë, për fat dhe një nga lojtaret  e para në grumbullimin e parë që kombëtarja e Shqipërisë realizoi në vitin 2011. Më pas prej  nëntë vitesh u bëra pjesë e saj. Goli i parë zyrtar ndaj Luksemburgut në 2013 më ka mbetur si një kujtim i ëmbël kuqezi. Ajo fitore e dërgoi Shqipërinë në kalimin e grupit kualifikues.
Sot, ai gol ka të njëjtën ngjyrë emocionale si goli i i fundit në karrierë ndaj Qipros në vitin 2020. Zakonisht largimi nga sporti i luajtur është i vështirë, por mu kërkua të vendosja shumë shpejt. Presidenti i Mitrovicës, Hajrullah Haxhiu, më ofroi postin e trajneres duke më shprehu besimin e tij. Guxova duke vendosur shpejt. Sot jam trajnere e skuadrës ku para pak kohësh luaja në fushë. Shumë shpejt në një kohë të shkurtër fituam kampionatin dhe kupën pas një ecurie fantastike, por të pritshme.
Futbolli për mua është pasioni, endrra ime që kur isha femijë. Tani më është shndërruar në profesion të cilin e bëj me shumë dëshirë. Luftova të isha e lirë në zgjedhjen time që në fillim dhe ja arrita. Në fanellë mbaj një mbiemër legjendar, mbiemër që më jep forcë dhe guxim në çdo hap.
Faleminderit...

Nga
Suada Jashari
(ish-futbolliste, trajnere)


Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar !