Publikuar më: 28.03.2025
Po prisja i shqetësuar tek holli i hotelit me sytë nga dera...
Minutat kalonin dhe im atë nuk dukej...
Nuk kishim ku të shkonim ta kërkonim. Kishte dalë që në mëngjes të shëtiste në qytetin e Bukureshtit me mbi dy milion banorë.
Kishte humbur rrugën, kështu të paktën besoja…
Kur po binte muzgu, papritur ai u shfaq në derën kryesore të hotelit me krenarine e zakonshme. Dukej i lumtur.
I thashë të çlodhej pak kohë përpara së të konsumonim darkë. Kur hoqi xhaketën, ç'të shikonte!...në xhep i mungonin 30 dollarë që ia kisha dhënë une në mëngjes. U shqetësua shumë.
“Njofto menjëherë policinë rumune që të më gjejnë se cili mi ka marrë paratë”, më tha.
E dija që do ndihej shumë keq mbi të gjitha se kishte humbur paratë që i kishte dhënë djali.
“Në rregull”, i thashë….
Mora në telefon recepsionin, gjoja sikur po flisja me policinë për të gjetur paratë. Bëja sikur flisja rumanisht edhe pse nuk dija asnjë fjalë. Pasi mbylla telefonin, babai u qetësua disi dhe shkoi të çlodhej. Nga ana tjetër unë nxora 30 euro të tjera dhe ia lashë në tavolinë. Kur u kthye i thash babait si ish-ushtarak:
“Në Shqipëri më thone se policia e kap lepurin me qerre. Po për policinë rumune çfarë do të thuash tani që të ka gjetur paratë?” U gëzua: Si policia rumune nuk ka, tha.
Por më shumë u gëzova unë që gjeta një mënyrë që babai të mos mërzitej. Duke njohur natyrën e tij, do e vuante shumë nëse do ti tregoja të vërtetën. Nuk ia tregova asnjëherë këtë në menyrë që të mos prekja pikën e tij të dobët, krenarinë.
Babai iku nga kjo botë pa e marrë kurrë të vërtetën me vete.
Kështu u rrita, me këtë frymë nga familja, nga babai, nga mami. U rrita me frymën e respektit, krenarisë, mirënjohjes për tjetrin. Nuk kishte tjetër se si të veproja edhe unë në jetë me pas, kur u rrita si futbollist, kur u bëra prind dhe sot që jam gjysh.
Një ditë duke shoqëruar Etienin, nipin tim tek lodrat, më kaloi një top pranë ngjyrë gri. Ishte si topi që prisja i vogel zgjuar naten e viti te ri me shumë emocion nga pakot e prindërve të mi. Topi i llastikut pesëdhjetsh na bënte të gjithëve të lumtur. Ishte argëtim futbolli. 'Ai djali i vogël që i bën të gjithë lëmsh, ai që nuk e humbet asnjëherë topin, ai, ai....', kështu thonin per mua kur luaja ne lagje me moshatarët. Më shikonin të rëndësishëm, saqë kur ndaheshin ekipet, emri i parë që diskutohej në fillim te zgjidhnin ishte i imi.. Kohen e kalonim jashte ku kishim hapësirë pa fund ku mund të luanim futboll me topat e llastikut. Po e shoqëroj të rritet dhe pak Etieni, nipi im, që ti tregoj lojerat, futbollin e femijerise sime.
Kështu ka nisur sporti im, futbolli që më mbush me oksigjen sa herë e kujtoj...
Ish shkolla Alqi Kondi, sot Pjetër Budi rriti idhullin tim në futboll, Vasillaq Zerin. Tek klasat sportive u stërvita nga dy profesorë shumë pasionantë, i ndjeri Albert Oroshi dhe Thoma Diamanti. Ështe një shkollë që ka prodhuar shume talente në kohë si Petrit Dibra, Arben Minga, Pandi Sarai, Muhedin Targaj, Aleko Bregu, Arbnor Dauiti, Andrea Marko dhe treshja e madhe dinamovite, Zeri, Pernaska, Ballgjini etj.
Koha ka treguar se talenti nuk mund të arrijë suksese nëse nuk stërvitesh shumë. Me paratërinjtë dhe të rinjtë e Dinamos këtë e lexoja tek çdo leksion që merrja nga trajnerët. Luaja gjithnjë me lojtarë shumë më të mëdhenj në moshë. Me të rinjtë drejtuar nga Alfred Muja dhe Fatmir Frashëri dolëm kampion.
Dhe me kombëtaret e moshave jam bërë pjesë shumë shpejt. Madje për herë të parë udhëtova jashtë Shqipërisë për në Turqi per turneun ballkanik. Udhëtimi ishte me autobuz. Rrugen e gjate nuk e ndjeva fare nga kenaqesa qe po dilja jashtë kufijve ashtu i lirë.
Shumë shpejt më morën në ekipin e parë të Dinamos. Në ditën e parë të stërvitjes u befasova kur e pash veten midis gjigandëve të Dinamos. “Po stërvitem me idhujt e mi.....!”, thashë me vete. “Po mua çfarë më duan këtu?”, pyeta sërish veten. Por nuk mora asnjë përgjigje, sepse ata më mbajtën pranë që në fillim dhe më ndihmuan të kaloja situatat emocialale shumë shpejt. Konkurenca ishte shumë e fortë ku çdo vit merrnim trofe.
Momenti im si lojtar erdhi shpejt por edhe pak çuditshëm. Dinamo luante në Përmet ndeshjen e kupës. Pas tre golave dhe sigurimit të kualifikimit, trajneri i madh Saimir Dauti me futi në lojë. Fituam një penallti. Ballgjini merr topin dhe më afrohet. “Merre dhe godite ti penalltinë’, më tha. Ashtu i habitur dhe me emocion vendosa topin tek pika e bardhë. E godas me trupin e mpire nga emocionet. Portieri hidhet nga krahu ku godita, topi i kalon çuditërisht mids duarve dhe përfundon në rrjetë. Ishte goli im i pare. Për këtë doja të falenderoja atë, sepse ai gol ishte i pakuptueshëm, por që më dha gëzimin e golit të parë.
Më pas erdhi dita e cila është fiksuar fort në mendjen timë. Titallar në moshën 17 vjecare kundër Besëlidhjes në Lezhë dhe për fat golin e vetëm të sfidës e shënova unë. Ky moment erdhi pas mbështetjes së madhe që mora nga trajneri Saimir Dauti dhe yjet e ekipit.
Nuk e kuptoja, por pritshmëritë ndaj meje ishin të mëdha. Por jo gjithçka ishte e lehtë.
Në ndeshjet e para lodhesha shumë në lojë, Harxhoja pa fund energji në fushë për shkak të lëvizjeve jo të studiuara dhe mungesës së eksperiencës. Aq sa kur mbaroja ndeshjet në “Qemal Stafa”, rrugës për në shtëpi më shoqëronin shokët e gjimnazit, "Nuk do vazhdoj më, është sacrificë e madhe'", thoja. Ata nga ana tjetër më inkurajonin. "E di sa mirë flisnin tifozët për ty. ..Ai djali i ri i vogël që vallëzon me topin. shumë teknik". Kur kthehesha në shtëpi i rraskapitiur nuk mundja të dilja më jashtë. Edhe pse babai dhe mami mendonin se duhej të ndiqja një profesion, ata kurrë nuk u bënë pengesë për pasionin tim. Ishte kohë e vështirë e tollonave për ushqimet. Por kisha një ushqim bazë, dashurinë e prindërve dhe motrave për ndjekjen e pasionit.
Isha më i rregullti dhe më i disiplinuari në stërvitje. Falë mënyrës të fortë të përgatitjes fizike nuk kam pasur dëmtime në karrierë. Ky është një nga ato mesazhe që duhet të shkojë tek lojtarët e rinj.
Profesionin duhët ta dashurosh, ta bësh pjesë të jetës tënde. Kete gje pa e kuptuar bëra me Dinamon. Si natyrë emocionale ndjeja shpesh përgjegjësi tek vetja në mënyrë që cdo gjë të shkonte siç duhej.
Para çdo ndeshje, ankthi nuk më ndahej. Isha i shqetësuar dhe emocionet gati më blokonin. Kjo zgjaste deri në mometin kur shkelja barin e fushës. Me pas harroja gjithçka, sepse epiqendra ishte topi dhe asgjë tjetër.
Për ndeshjet derbi atmosfera e gjithë javës ishte fantastike, se të gjithë në qytet jetonin me ndeshjen derbi.
Futbollin e ndiqja si pasionin, si dëshirën e madhe. Nuk bëja dot dallim në lojë as se me cilin kundershtar luaja. Në një rast, trajneri më thotë. "Do luajmë në Delvine. Do shkojmë me ekipin e dytë, keshtu mos hajde". Une iu pergjigja:"Të paktën të vij ta shikoj ndeshjen". Ashtu u bë. Por sa me panë në tribunë tifozët kundërshtarë, kërkuan që të zbrisja në fushë. Donin të më shikonin në lojë. Keshtu trajneri u detyrua te me zbriste ne fushe. Publiku mbushte stadiumet, e donin lojën dhe respektonin kundërshtarin.
U grubullova shpejt dhe me kombëtaret e moshave. U kualifikuam me 18 vjeçaret në europian. Në grup kishim Hollanden e Gulit, Van Bastenit etj. Më vonë të gjithë këta lojtarë të mëdhenj luanin me ekipet e mëdha europiane, tek Milani i madh etj, ndërsa ironikisht unë me shokët e mi i shikonim ata nga ekrani dhe nga ana tjetër vijonim të luanim te izoluar në Shqipëri Me shpresat ishte kohe e artë ku mezi na mundi Italia e Vialit, Mancinit, Vinjolës dhe Rampulës. Të gjithë këta ishin titullar në ekipet më të mira në serinë A.
Në atë kohë revista France Futboll na renditi në vendin e tetë midis dhjetë ekipeve në vleresimet e vitit. Dhe Shqipëria e shpresave në futboll kishte një brez të artë, Kushta, Ocelli, Josa, Zmijani etj. Por te gjithe prisnim fatin tone te luanim nje dite jashte vendit.
Me pas shume natyrshem erdhi dhe kombëtarja e madhe, realizimi i endrres se cdo futbollisti. Me fanellen kuqezi ishte ndjesi i pakrahasueshme. Publiku qe na brohoriste ne cdo ndeshje na motivonte shume. Arritëm pikën më të lartë të suksesit, fitoren ndaj Belgjikës së Shifos dhe pretenduam Boterorin. Me kombëtaren më ka mbetur në mendje goli i anulluar ndaj Anglisë në Wembli. Jo sepse do ndryshonte rezultatin, por nga menyra e realizimit, mbetet goli më i bukur i karrierës sime në futboll.
Pas 90 -es çdo gjë ishtë e vështirë për sportin dhe për futbollin. Në grumbullimet me ekipin kombëtar lojtarët vinin nga drejtime të ndryshme në grumbullim. Disa me taksi, disa me tren, me autobuze. Sakrificë që të gjithë e bënin për fanellën kuqezi. Në 1992 shkuam në Kompenhagen për tu ndeshur me Danimarkën, por nuk kishim fanella. Kundërshtari na dhuroi fanellat rezerve ngjyrë blu. Ndoshta kjo është hera e parë dhe e fundit që Shqipëria ka veshur ngjyrën blu. Për atë kohë sakrificash duhet një bravo e madhe sepse të përfaqësosh kombin është kenaqësi. E kam ndjerë që në ditën e parë dhe është ndjenjë e jashtëzakonshme të djersisësh për kombëtaren.
"Din, të keqen vëllai. unë e ndjej që pas kthimit tënd duhet ta mbash ti shiritin e kapitenit në kombetare". Agustin Kola me natyrën e tij të vendosur u përgjigj; “Do të mos dal fare në fushë apo si...?” Nëse e thotë Agustini një fjalë është më mirë të tërhiqesh. Dhe kështuë bëra pavarësisht së kthimi i tij në kombëtare pas kaq kohësh meritonte pritjen e duhur, sepse ishte një rast unik që edhe pse e dënuan shumë kohë, ai sërish falë punës u kthye dhe kapi kombëtaren. Këta janë njerëzit që duhet të kënë minimalisht mirënjohje për atë që kanë bërë dhe për mesazhet që kanë lënë. Do jem mirënjohës gjithmonë për ata që kanë lënë diçka edhe nëse nuk kam patur mundësi ti njoh dretperdrejte. Për Panajot Panon them që është mbreti i futbollit edhe pse nuk e kam arritur. Por mbreti përfundoi në fundin e karrierës tek porta e klubit. Këto janë njerëzit që duhet të vlerësoshen në çdo kohe dhe te mbrohen nga shoqeria dhe aktoret e futbollit.
Ne klube dhe kombetaren per çdo trajner kam pasur pershtypjet me te mira, si Saimir Dauti, Fatmir Frasheri, Bejkush Birce, Faruk Sejdini që ishte tip shumë i vençante. Nese trajneri mendon qe nuk je i afte, duhet ta pranosh vendimin. Une kur e pashë që nuk isha në zgjedhjen e trajnerit Neptun Bajkon ne kombetare mendova që të mos vija më. Verdikti i trajnerit pranohet. Keshtu jam unë dhe kështu mendoj dhe veproj. Ashtu sikurse e thashe ne fillim, vleresoj shume sportistet qe kane lene vlera per futbollin tone, si nga ana njerezore dhe profesionale.
Kur luaja me kombëtaren dhe me Dinamon ne Europe, shumë sy më kishin vëzhguar, disa prej tyre dhe nga Rumania.
Fatet ndonjëherë janë të shkruara. Ndryshe prisja dhe ndryshe shkoi rruga ime për të luajtur jashtë vendit. Të gjithë shikonim nga perëndemi, ndersa mua fati më priste në Rumani. Vasi Toçi ishte një student në universitetin e Rumanisë. Shkonte dhe vinte. Si sportdashës aq më tepër me Dinamon e Tiranës luante dhe nipi i tij. Një ditë Vasi kishte takuar trajnerin e Dinamos, Luceskun në qendrën stërvitote. Ai më njihte mire dhe kërkoi të shkoja atje. Nuk e mora seriozisht. "Hajde thash me vete të bëj një shëtitje në Bukuresht". në Aeroport na priste nje makinë e vogël që na dërgoi direkt në klub. Ata bisedonin dhe unë që rrija kot sepse nuk kuptoja. "Po rri kot këtu i thash, a mund të shkoj në hotel"? Më shoqëruan në hotel ku më vonë erdhi Vasil Toci. "E mbylla atë muhabet. E nisa me 1 milion dollarë, por përfunduam me 250 mijë dollarë për tre sezone”, tha. Ishte një nga kontratat e para në atë kohë dhe aq para nuk i kisha parë ndonjëherë. “Edhe 100 vite ta bëjë kontratën jem dakord” i thash nga deshira e madhe per te luajtur jashte vendit.
Atë natë qëndruam pa gjumë me Vasilin. Mezi prisja të zbardhte dita për të kuptuar nëse ishte e vërtetë. Ishte një moment shumë i rëndësishëm për karrirën.
Presidenti i Dnamos së Bukureshtit Vasile Ianul kishte qenë futbollist dhe dinte si të sillej. Pasi nënshkrova kontratën Vasit i dha 1 mijë dollare kesh në dorë ndersa mua 1500 dollare.
" E di pse po ti jap 500 dollarë më shumë? Duhet të lëvizësh me taxi, sepse ti je Demollari".
Ishin detaje që bënë përshtypje të fortë tek unë. Kështu nisi karriera në Rumani. Me parate që na dha presidenti bleme televizora me ngjyra dhe pajisje të tjera elektroshtepiake.
E fejuara ime Etleva ishte studente dhe diten e marteses e kishim lënë pas disa muajsh. Sipas kontrates çdo javë kisha biletë vajtje ardhje Tiranë-Bukuresht. Mora të fejuarën dhe babain në Bukuresht. Fakti që ishte studente krijoi disa pengesa, por shkoi mirë. Babai si ish ushtarak e kishte të vështirë të pranonte faktin që mund të paguaja për të. Në një rast tjeter për të shkuar në stadium në Bukuresht, i thash që të hipte në makinen e klubit për të ardhur. Ai nuk pranoi se mendonte se kisha paguar taksi për të. Kur u futa në autobuzin e ekipit, një nga lojtarët më thotë: "Demo, babai yt është ulur në fund të autobuzit. Ky ishte babai im, i cili u udhehoq gjithmone nga krenaria e një ushtaraku. Qëndroi pak kohë me ne dhe u kthye në Shqipëri. Mbështetja dhe besimi që më dhanë që në klub më mbushën me energji. Që në ndeshjen e parë shënova dy gola, shkoja dhe vija në Shqipëri, por gjithnjë kisha një porosi për të kryer për presidentin. Ai ishte i fiksuar me rakinë që kishtë provuar në hotel Dajti kur ishte lojtar. Rakinë ma prodhonte vjehrri dhe Presidenti i Dinamos mezi e priste.
Në sezonin e parë shënova 18 gola dhe dy që në ndeshjen e parë. E fillova vrullshëm kampionatin dhe menjëherë në qendër të vëmendjes. Derbi me Steausn konsiderohej gjithmonë më i rëndësishëm se kampionati. Më mirë të fitojmë më Stauan se kampionatin, qarkullonte gjithnjë si mendim. Në derbin e parë fitojmë një me zero me golin tim. Atë natë u bë një armosferë e jashtëzakonshme sa i takon koreografisë. Tifozet kishin hyrë brenda stadiumit me fishekzjarre te fshehura brenda topave. Pas ndeshjes qindra tifozë erdhën tek hoteli. Nuk iknin deri sa dola në ballkon për ti përshendetur dhe të festoja pak me ta.
Në Rumani më thërrisnin kudo Demo. Një emër që sot e kësaj dite është shkruar në historinë e klubit. E kisha të vështirë të dilja pa u maskuar shëtitje. Vendosja kapele dhe shall se nuk doja shqetesime të ndryshme, sepse isha bërë baba. Sapo më kishte lindur vajza dhe dilnim shëtitje. Në një rast dikush më thirri “Demo”! Mos thash, me njohën. Qëndrova pak pa e kthyer kokën. Sërish dëgjoj “Demo...!” Ktheva kokën. Personi në fjalë nuk ishte drejtuar nga unë, por i thërriste qenit të vet.
Një nga momentet më të paharrueshme ishte derbi me Rapidin. Në atë ndeshje nuk duhej të mundeshim për të siguruar kampionatin dhe kolonën zero të humbjeve në kampionat. Pjesa e parë përfundoi 3 me 1 për ekipin tonë. Ndersa pjesa e dytë, Rapidi na përmbysi 4 me 3. 10 minuta para përfundimit, presidenti u mërzit aq shumë sa u largua nga stadiumi. Në minutat shtesë, kornja e fundit për Dinamon, për fat të mirë shënoj golin e barazimit 4 me 4.
Shoferi i presidentit ndezi radion dhe dëgjoi që kishim barazuar. Presidenti mer goditje në zemër dhe dërgohet në urgjencë, por pa gjëra serioze. Të nesërmen, bsshkëshortja do merrte notën e provimit në Universitet. Presidenti pasi mer vesh që unë po e prisja poshtë, zbriti të më takonte. “Po mirë, dje e gjete ti shënoje tre gola ekipit tim të zemrës?
Po ja që ndodhi i thash. Po të ishte për notë kaluese, do ti vija me kënaqësi katër vetëm për atë që bëre dje më tha. Me dha librezën. I kishte vendosur notë maksimale 10. Jo per kompliment, por bashkeshortja ishte studente fantastike me rezulate të larta. Me kater gjuhe te huaja, anglisht, italisht, frengjisht dhe rumanisht.
Pas dënimit të presidentit te Dinamos se Bukureshtit, klima ndryshoi në klub. Drejtuesit e rinj filluan të largojnë të gjithë organikën. Mua më thanë se mund të largohesha kur të doja. Më kërkoi Steaua. Por kjo zgjedhje nuk rezultoi e thjeshtë. Më mirë të ikja se sa të shkoja tek rivalët e Dinamos. Dy muaj pa pushim tifozët e Dinamos kërkonin në formë proteste kthimin tim në klub. Kam ndenjur në një dhomë me Mario Lakatush tek Steaua dhe një javë përpara se të fillonte kampionati jam kthyer tej Dinamo e Bukureshtit. Më kthyen tifozët sepse kishin vendosur që të pengonin ekipin të lunate nese nuk kthehesha tek Dinamo. Për ta jam idhull sot e kësaj dite. Në klub jam cilësuar si lojtari më i mirë i huaj i të gjitha kohërave, që sot më bën të ndihem I privolegjuar. Janë vlerësime që të japin emocion të fortë kur kujtoj kohën e artë që kalova atje. Një nga mbështetësit e mi të fortë ishte presidenti, i cili si pasojë e këtij respekti dhe besimi i hapi rrugë dhe lojtarëve te tjetere shqiptare si Perlat Mustës, Agustin Kolës. Për hir të mirënjohjes dhe respektit, nga Shqipëria kam shkuar për ta takuar në burg presidentin Ianul. Me sytë me lot, ai tha: “Ke ardhur të më takosh nga Shqipëia, ndërsa lojtarët që ti i rrite dhe që luajnë në Rumani, nuk i kam parë këtu”. Doja apo nuk doja, kështu isha rritur, që mirënjohja dhe respoekti të më udhëhiqnin në çdo situatë “E kam bërë me kenaqësi për respektin që keni treguar për futbollin për ne dhe për të gjithë lojtarët shqiptarë”, I thashë. Nuk mund ta beja nje gje te tille nese nuk do isha rritur me kete ndjenje, me ndjenjen e mirenjohjes dhe vleresimit per njerezit. Dinjiteti nga ana tjeter me doli ne pah kur shkona ne Greqi me Panionios.
Erdhën dhe me kerkuan ne Bukuresht per tu trasferuar ne Janar. Atje luante Lulzim Bersheni, i cili kishte shkuar që në vitin 87. Por kohët kishin ndryshuar dhe kishim mësuar rregullat e lëvizjeve. Si profesionist bisedova për kushtet dhe kontraten. “Jemi katër vetë që do vijmë në Greqi. Për të lëvizur na duhen viza për në Athinë”. Kjo ishte një kërkesë bazë e imja. Kur shkuam në doganë, policia greke na la 3-4 orë në pritje. Isha me gocën e vogël Suelin 2 vjece me nusen dhe me vellain e saj. U ndjeva i fyer edhe për faktin sepse isha më fëmijë të vogël. I revoltuar, pasi e kontaktoj presidentin e Panionosit i them: “Bileten e kthimit do e prisni ju për në Bukuresht apo të kthehem vete, se per këtë pritje nuk ka asnjë justifikim”. Kërkuan falje. Për mua nuk ishte primare kontrata, por familja. Pasi kaluam, shkuam në hotel. Në mengjes erdhen drejtuesit e klubit që kërkonin të shkoja në klub. Pas këmbënguljes sime që nuk do shkoja, ne fund i thash se do vij për respektin e presidentit. “Mund të shkojmë në një vend të veçante i thash atij? “Erdha të jap dorën dhe të iki. Nuk jam njeri i rrugëve dhe me një femijë dy vjeç nuk mund të trajtohemi në këtë mënyrë. Mund të jap dorën të iki?, e pyeta. Presdienti këmbënguli te qendroja se imazhi I klubit do prishej nëse do ikja për shkak se nuk ishim respektuar. Si përfundim, për një sezon tek Panionios fitova sa për tri vitet tek Dinamo e Bukureshtit. Ai ishte i detyruar që ti plotësonte të gjitha kushtet. I tregova se vërtet ishim nga një vend i prapambetur, por që kemi dinjitet. Më pas nisën sulmet. Në tre ndeshje radhazi më bënë kontroll antidoping. Donin të më gjenin një kleçke për të më prishur kontratën. Më ndalonin me makinë dhe më kontrollonin. Por nuk arritën atë që kërkonin deri në fund të sezonit. Pashë me sytë e mi operacionin fshesa me shqiptarët. Kur shkoja në restorante flisja shqip me ze të lartë se isha i lire.
Ishte eksperiencë që në pah më nxori atë me të cilën më rriti im atë, karakterin, dinjitetin.
Me pas kalova tek Gyor në Hungari për një sezon dhe më pas në Itali për pesë vite. Atje u bëmë dhe me fëmijën e dytë, djalin Dario.
Në 2001 u ktheva për të kontribuar dhe ashtu sikurse si shumë ish lojtarë të kohes sime si Van Basten, Haxhi etj, dhe unë mora përsiper sfidën për të drejtuar kombëtaren. Sot jam skaut per moshat e reja në Federatën Shqiptare të Futbollit. Kualifikimet e shumta dhe licensat kur i mendoj kapin shifra marramendese, por qe nuk jane konvertuar ndoshte ne praktike.
Per licensat mendoj pak, sepse nuk eshte ceshtja ime qe ato te vleresohen sic duhet, por ama sa here mendoj per karrieren, ne mendje me vjen emri Demo, me te cilin kalova tri sezone fantastike ne Rumani, me te cilin u zgjodha disa here si lojtari me i mire i kombetares, si lojtari qe u rrita me idhujt e mi tek Dinamo e Tiranes. Me vijne ne mendje tifozet me te cilet perjetova adrenalinen, thelbin e këtij sporti. Dhe sigurisht familja, babi mami, bashkeshortja, vajza, djali dhe sot nipi im Etieni, dashuria e te cileve me ka shoqeruar ne hapat e mi qe nga nisja dhe deri me tani.
Futboli është profesioni më i bukur. Unë e fillova sepse kisha dashuri dhe më jepte shumë argëtim shumë kënaqësi, Nuk e mendoja kurrë që deri në moshën 30 do isha jashtë vendit si profesionist.
Keshtu e kam konsideruar futbollin, argëtim, dashuri, gjithçka të bukur pa menduar aspak anën financiare.
Bashkeshortja ime Etleva drejton Muzeun “Shtepia me Gjethe”. Kur shkojnë turiste nga Rumania, gjithnje me therret te jem aty. Është ndjenje e bukur kur nje vend perfaqesohet ne imazh falë sportit.
Edhe pse vitet kalojnë, është ndjesi e veçantë jete kur dëgjoj që ne historine e futbollit gjendet dhe emri DEMOllari…
nga
Sulejman Demollari
ish futbollist, skaut, trajner
Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com
Kujdes!
Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit
si informacion, është rreptësisht i ndaluar!