Uerdi MARA






Publikuar më 27.10.2020

Shikoj telefonin...

Më kishin ardhur disa mesazhe...

Nis ti lexoj...

"Uerdi , ke shkuar në Spanjë? Bravo. Na thuaj si ndodhi, si është Malaga?

"Je bashkuar me ekipin e parë"?

"Të lutem bëj një foto me Salihin dhe ma dërgo", ishte një mesazh tjetër i një shoku.

Ky i fundit nis të këmbëngulë herë pas herë që të bëja një foto me Salihin dhe t'ia dërgoja.

Por nuk mundesha.

"Mara, të lutem bëje një foto dhe ma dërgo".

Por mua më vinte turp ti kërkoja një foto Salihit apo lojtarëve të tjerë. 

Isha 16 vjeç, i grumbulluar për herë të parë me Skënderbeun në fazën përgatitore.

Isha aq i emocionuar nga ky grumbullim saqë nuk arrija dot të ambjentohesha.

"Ç'dua unë unë këtu", thoja me vete.

Të gjithë lojtarët bënin shaka me mua, sidomos Kristi Vangjeli. Ai më ngacmonte shumë në fillim.

"Uerdi, ku e ke të dashurën?, më thonte. Mua më zinte turpi. 

Në një nga ditët e grumbullimit në Malaga, pas stërvitjes, ishim mbledhur të gjithë lojtarët. Kristi nis të më ngacmojë sërish. "Uerdi, pse nuk e ke marrë të dashurën me vete?

 Mos të mërzitet. Apo e ke lënë te shtëpia në Korçë? ", më tha.

Në atë moment si për të më nxjerrë nga situata, ndërhyn Osmani: 

"Kristi, Uerdi nuk është nga Korça, por nga Maliqi". 

Aty nisën të qeshurat dhe nga ajo ditë Vangjeli nuk më ngacmoi më, por më shikonte pak me inat për faktin se kishte dalë blof. Ai nuk e dinte që unë isha nga Maliqi. 

Ndihem shumë i lumtur qe kam pasur fatin të isha pjesë e atij grupi me emra të mëdhënj. Ata më kanë mbajtur shumë pranë dhe sidomos Vangjeli më ka ndihmuar shumë që të ambjentohesha me skuadrën.

Kur mendoj të shkuarën shpesh herë më kujtohet topi i parë që më dhuroi Xhaxhai kur isha 6 vjeç.

Ndoshta ai ishte oguri im që ka paraprirë ditët e sotme, ku unë jam sportist profesionist.  

Ishte një top i kuq, i cili më tërhiqte shumë. Xhaxhai me këtë dhuratë nxiti dëshirën tek unë për të parë nga futbolli. 

Në moshën 8 vjeçare kam ndjekur për herë të parë idhullin tim, Kristiano Ronaldon kur luante me Mançester Junajtid. Më tërhiqte shumë dhe gjatë gjithë kohës mundohesha ta imitoja. 

Familja duke nisur nga babi më krijuan mundësinë të regjistrohesha në akademinë e Skënderbeut. Lumturia dhe dyzimi më shoqëruan në fillim.

Shpërthimet e Ronaldos më nxisnin të shikoja gjithnjë drejt portës. Në këtë mënyrë u përshtata shumë në pozicionin e mesfushorit të qendrës. Ndryshe nga idhulli im, teknika është më e theksuar tek unë se sa aspekti fizik. Në pozicionin natyral ndihem shumë mirë. Trajnerët te ekipet e moshave kanë provuar të më përshatasin në disa pozicione të tjera, por në fund janë bindur se në mesin e fushës unë jap më të mirën.

Në moshën 16 vjeçare më vjen telefonata e ëndërruar.

"Mara, presidenti ka bërë gati kontratën. Ka mbetur vetëm për firmën tënde", më tha miku im. Ishte një ndjesi e jashtëzakonshme. Kisha një jetë që e ëndëroja atë momenet.

Isha rritur me lëvizjet e Ronaldos. Më dukej shumë e largët dita kur do bëhesha profesionist. Por jo, ëndrra u realizua në mënyrë surprizuese.

Por nuk kishin mbaruar këtu momentet e jashtëzakonshme. Trajenri U-17 i Shqipërisë, Haxhiosmanoviç  zhvilloi grumbullimin e radhës me të rinjtë premtues në Kamëz. Pas kësaj prove u ftova në kombëtare. Trajneri Arjan Bellai më ftoi më vonë edhe në ekipin U-19. Të veshësh bluzën kuq e zi, është momenti më i jashtëzakonshëm për çdo sportist.

Telefonatat e kësaj natyre janë pjesa më e rëndësishme për karrierën e një sportisti.

Tashmë jam titullar me Skënderbeun.


Por sytë e mi janë diku tjetër, atje ku shikoj provën e madhe përtej kufijve, në një ekip europian. 


Të ardhmen e pres me durim, ku fati 
mund ketë rolin e tij përcaktues.

Imagjinata ka nisur fluturimin...por këmbët duhen mbajtur në tokë.


Nga 

Uerdi MARA

(futbollist)


Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!