Valdet RAMA





Publikuar më 24.10.2020

Asokohe luaja me Orebron, në Suedi. Kishte ardhur të me takonte Giani De Biasi dhe Paolo Tramezani. Më kërkuan të luaj me kombëtaren shqiptare. 


Në atë kohë isha pjesë e Kosovës. Zhvillova dy ndeshje dhe shënova dy gola. FIFA nuk e kishte pranuar ende në gjirin e saj.

 
Dëshira si nje stuhi deti nisi të me pushtonte mendimet e i dha udhe ëndrrës së babait tim. Mallin për Shqipërinë babi e përcillte nëpërmjet valëve të detit qe lagnin tokën e të parëve. Ndërsa unë isha vala e shpirtit të tij që i çonte mallin përtej detit. Më quajti Valdet, e jo pa qëllim! Shqipëria është toka ime e shqipja gjuha e nënës! 

Si valët e detit fluturoi dëshira për të përfaqësuar Shqipërinë! Natyrshëm vendosa të vishem kuqezi.

Jam lojtar që pëlqej lojën ofensive, dhe kjo cilësi më dha sukses me kombëtaren. Shënova tri gola në 15 ndeshje me shqiponjat. Të dëgjoja himnin në stadium, ishte drithëruese dhe një emocion i rrallë. Jemi rritur me frymën e shqiponjës dhe nuk kishte si të përjetohej ndryshe.


I lindur në Kosovë dhe përfaqësoja Shqipërinë. Fati i shortit na dërgoi në Beograd.
Kur e kujtoj atë stadium me atë atmosferë, është vërtet e frikshme. Ulërimat nisën me himnin kombëtar. Por ne, lojtarët kuqezi nuk kishim nevojë për mikrofon, zëri ynë buronte nga shpirti. Ai buçiste mbi zërin e çjerrët të 30 mijë ulërimave. Rijetoj të njëjtat emocione si atëherë kur i kujtoj ato çaste.
Simbolet shqiptare që valviteshin mbi ne ngritën peshë zemrat tona.
Më pas mund të ndodhte tragjedia, por fati ishte në anën tonë. Falë Zotit gjithçka mbaroi me pak lëndime. Isha dëshmitar i një situate që nuk mund të përsëritet më.


Më pas erdhi Euro 2016. Emri im nuk ishte në listë. Nuk më pëlqeu kjo gjë edhe pse e dija se të gjithë lojtarët nuk mund të ishin në Francë. E respeketova vendimin e De Biasit, ishte ai që më afroi në kombëtare.
Për të qenë i sinqertë, periudha e ndeshjeve përcaktuese për në europian nuk ishte në anën time. Dëmtimet më penguan të isha në nivelin ku duhej të isha.


Të shkosh nga skaji në skaj dhe të provosh të gjitha emocionet e mundshme, këtë ta mundëson vetëm futbolli. Askush nuk e parashikon se si do të jetë e ardhmja. Kur kthej kokën pas nuk e besoj rrugëtimin e gjatë që kam përshkruar.

Në moshën 6 vjeçare nisa kontaketet e para me topin e futbollit. Xhaxhai im ishte promotori kryesor. U shpërngulëm në Gjermani dhe në moshën 8 vjeçare u regjistrova në ekipin e Oestrich, Hagen. Këtu ishte pika e nisjes së karrierës sportive. 

Stacionet e mia i ngjajnë një labirinti, sepse kam luajtur me shumë ekipe në Gjermani dhe në shtete të ndryshme. Gjermani, Suedi, Spanjë, Kinë dhe Shqipëri.


Në Spanjë luajta ndaj dy lojtarëve më të mirë të botës, Mesit dhe Ronaldos. Fitorja ndaj Barcelonës ishte pika kulminante e eksperiencën atje. Karriera e një sportisti merr vlera nga të tilla nivele dhe për këtë ndihem mirë. 

Pas largimit nga Kina, mundësia që më erdhi nga Kukësi ishte për tu vlerësuar, sepse erdhi në momentin e tranzitit tim nga kampionati kinez në atë gjerman, aty ku doja të shkoja.
Ruaj kujtime shumë të mira te Kukësi ku fituam kupën e Shqipërisë.

Por koka ime ishte pas në Gjemani, ku kisha familjen dhe babain, i cili po kalonte një situatë kritike me shëndetin. Në fund të dezonit u largova dhe u bashkova me familjen dhe iu gjenda pranë babit.
Dua të theksoj se nga eksperienca më Kukësin, respekt dhe mirënjohje reciproke ruaj vetëm me tifozët dhe ish-kolegët.


Sot luaj me Meppen. Jam në nivel shumë të mirë dhe ndihem sikur kam nisur tashmë të luaj.

Ashtu siç e theksova, futbollit nuk i dihet. E nesërmja mund të na dërgojë në një eksperincë tjetër. Thjesht duhet të jemi gati.
Kam arritur deri këtu me mbështetjen e famijes sime, që më është gjendur gjithmonë pranë në ditët e mira dhe të vështira. Falë zotit dhe familjes sot jam këtu.
Vajzat e mia, Soraja dhe Alejna dhe bashkëshortja Laura janë burim qetësie e dashuri pa kushte. Ato janë pasqyrë e së ardhmes, ku çdo ditë shoh suksesin e jetës!  

Futbolli më dha mundësinë jo vetem ta prek suksesin, por më së shumti të ndihem krenar! Nuk mund të harroj debutimin me Kosovën dhe Shqipërinë. Kjo pjesëmarrje  ka shënjuar jetën time përgjithmonë. Për këtë ndihem mirënjohës që mu dha mundësia të vesh fanellat që përfaqësojnë kombin tim.

 
Valët e Detit zbritën nga ëndrrat e babait, dhe u bënë të prekshme nga unë duke përfaqësuar kombin në arenën ndërkombëtare me sportin e sakrificës, por në futbooll gjithçka është e mundur.
Faleminderit!

Nga 

Valdet RAMA

(futbollist)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar !