Publikuar më 26.10.2021
Nëse do mendoja te godisja nga e majta apo nga e djathta, ndoshta sot do të flisnim pak më ndryshe.
Tek pika e bardhë vështrova për një çast portierin dhe më pas e vetmja gjë që mendova ishte të shmangia emocionet, sepse në atë atmosferë dhe përgjegjësi çdo gjë mund të më kthehej në bumerang.
Tifozët ishin para meje në Arenën e tejmbushur. Ata nuk qëndruan në heshtje, sepse donin golin. Ishtë momenti më i rëndësishëm për Tiranën dhe për derbin e parë timin.
Ashtu i çlirët u nisa drejt topit. Fati dhe qetësia individuale bëri të mundur të ngrija lart atmosferën. Tifozët u çmenden dhe i "vunë zjarrin" stadiumit. Këmba ime vendosi fatin e derbit. Nuk kisha përjetuar një ndeshje të tillë, ishte thjesht një atmosferë e jashtëzakonshme.
Por futbolli i tillë është, ku suksesi dhe dështimi ecin paralelisht.
Këto momente janë kulme që çdo futbollist i ëndërron ti prekë gjatë karrierës. Ato janë si fotografitë që të shoqërojnë gjithmonë në jetë. Një nga fotografitë që më shoqëron gjithnjë është koha kur isha fëmijë.
Ditët e ftohta në Gjermani mundohesha ti ngrohja me vrapimin pas topit. Mësuesi i klasës më vëzhgonte çdo ditë me kujdes deri sa në njërën nga ditët e akullta bashkë me babin më regjistruan në akademinë e Energji Kotbus. Dita me e veçantë sapo kishte ardhur.
U rrita me një top llastiku ku luaja deri në orët e vona. Nuk mund të ndahesha aq kollaj nga pasioni im për lojën e mrekullueshme deri sa nisi stërvitja e vërtetë.
Në jetë nuk janë vetëm momentet apo fotografitë e bukura që na shoqërojnë.
Në Shqipëri nuk erdha për të luajtur me Bylis, por shkak u bë një menaxher. Më pas erdhën dhe problemet me kontratën.
Për fatin tim ky moment delikat kaloi falë trajnerit të Kukësit Pakult dhe menaxherit të këtij ekipi Naim Halili. Ata më afruan në klub ku fitova shumë eksperiencë dhe u rrita si lojtar.
Futbolli është gjithçka për mua. Ai është aq i larmishëm, saqë unë e gjej veten midis fotografive që lë pas.
Kur zgjohem në mëngjes nuk qëndroj dot pa menduar për futbollin.
Faleminderit!
Nga
Vesel Limaj
(futbollist)
Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com