Elsa PERGJETANI

 

 



Publikuar më 19.11.2020
 

Dita është e mirë gjithmonë për volejbollin në vendin ku u linda. Edhe në ditët me të vështira, ky sport di të jetojë aty. Po e nis rrëfimin tim  me një histori që rrallë mund të gjendet në botën e sportit. Histori, e cila tejkalon rezultatin dhe shkon tek e pashpjegueshmja.

Ekipi i Mirditës ka afruar shumë lojtare dhe trajnere cilësorë nga e gjithë Shqipëria, madje dhe lojtare të huaja. 

Në sezonin 2010-2011, organika ishte e tejmbushur. Unë së bashku me disa volejbojlliste vendase nuk u preferuam të aktivizoheshim në të gjitha ndeshjet për shkak të mbingarkesës me lojtare të huaja.

Gjatë gjithë sezonit  u aktivizova rrallë, mos me thënë aspak. Ndiheshim keq, sepse ashtu sikurse e theksova më lart, ne lindim me volejbollin në këtë qytet dhe nënvlerësimi nuk na pëlqente. Në atë sezon Mirdita u shpall kampione e Shqipërisë. 


Këtu nis historia ime...

Të gjitha lojtaret e afruara atë sezon largohen bashkë me trajnerin.
I gjithë ai grup u bë pjesë e UBM Voley. Ekipi i Mirditës që ishte kampionia në fuqi mbeti në mesin e katër rrugëve. 

Nuk kishte sponsor dhe mbi të gjitha as lojtare. Mbetëm vetëm shtatë vajza, të gjitha nga Rrësheni.

Ekipi rrezikonte të shkrihej, sepse edhe organika ishte shumë e reduktuar. E pamundur që të mbijetoje, jo më të konkurroje.

Mblidhemi me njëra tjetrën.


"Si do bëjmë"?


Duhej të merrej një vendim. Gjithçka në atë moment varej nga ne. Tek vendimi ynë varej krenaria e një qyteti.


Por arsyeja atë ditë nuk funksionoi ndërmjet nesh. Për ne diskutoi shpirti, historia dhe pasioni.

Nuk menduam për sponsor, nuk menduam se si do të shkonte, apo se çfarë na priste. 


Vendosëm të përfaqësojmë qytetin në kampionatin e volejbollit.
Po po, 7 vajza u bëmë bashkë. "Do e provojmë", thamë së bashku.


U bëmë një grup i vetëm. 


Jetonim bashkë... 


Flinim bashkë... 


Ushqeheshim bashkë... 


Sfida që kishim përpara na forcoi shumë dhe na lidhi fort me njëra tjetrën.


Pranë nesh ishte një qytet dhe mijera tifozë në çdo ndeshje ishin krahë nesh, jo vetëm në sfidat brenda, por edhe në ndeshjet në transfertë. Ata na shoqëronin kudo.


Përveç faktit që duhej të jepnim maksimumin në parket, duhej edhe të ruheshim nga dëmtimet, sepse nëse njëra nga ne do të dëmtohej, mund të përjashtoheshim nga kampionati. Volejbolli nuk është si futbolli ku mund të luash dhe më një lojtar më pak.


Sikur të mos mjaftonin problemet dhe pengesat, në mesin e rrugës na braktisi edhe trajneri për shkak të mungesës së mbështetjes financiare. 


Stërvitjen filluam ta kryenim me njëra-tjetrën. Pra duhet të bënim gjithçka vetë, tashmë edhe trajnerin në stërvitje dhe ndeshje.


Nuk kishte kthim pas edhe pse pengesat ishin të shumta.
E kishim nisur atë rrugë. Adrenalina ishte e fortë dhe rezulatet ishin fantastike. 


Si "shootere" më udhëhiqte një energji e pashpjegueshme kur godisja topin. Ishte e pashpjegueshme se nga më buronte gjithë ajo energji. Sa herë i mendoj ato momente dridhem nga emocioni dhe për ne të gjitha mbetet viti më i veçante.


Ashtu, pa mbështetje financiare, pa trajner, pa organikë, por me shpirtin e një qyteti nga pas dhe me talentin tonë arritëm të bëjmë të pamendueshmen.

Në fund të sezonit ndodhi e pamundura!

Ndodhi ajo që as në imgjinatë nuk egzistonte!


Kampion...
Kampion...
Kampion...


Ngritëm kupën e kampionatit, triumfuam..........


U shpallëm kampione të Shqipërisë në sezonin 2011-2012! Adelajda, Esmeralda, Malvina, Fabiola, Jeta, Jola Sema dhe unë, jemi vajzat që ruajtëm traditën e këtij qyteti. Jemi futur në historinë e këtij klubi e këtij qyteti.


Uauuu

Ironia e fatit ishte se kishim mposhtur ish-shoqet e një sezoni më parë, të cilat luanin me UMB. Ajo skuadër shihej si fituesja e padiskueshme e kampionatit.


Por jo....!


Asgjë nuk mund ta mposhtë shpirtin e një qyteti. Nuk mund të mposhtet trashëgimia dhe shpirti i një vendi ku lindin talentet e volejbollit shqiptar.


Them trashëgimia, sepse edhe babai im, Ndre ka qenë një lojtar volejbolli. Ishte ai që më mbështeti gjithnjë në ëndrrën time.


Si një vajzë e gjatë rashë në sytë e mësuese Leta Doda kur isha në klasën sportive. Ishte një nga njerëzit që më mbështeti dhe më afroi të bëhesha pjesë e skuadrës së qytetit. Për të gjitha ne vajzat ishte ëndërr të luanim me ekipin e parë.

 
Imagjinoni...


Zgjohesh në mëngjes dhe tema e diskutimeve nis me volejbollin. Dreka shoqërohet me dikutimet për volejbollin dhe nata vijon me ëndrrat për volejbollin. 

Duket e pabesueshme, por në thelb volejbolli i tillë është për Rrëshenin.

Jo më kot nga ky vend kanë lindur talente të jashtëzakonshme. Sot janë pesë vajza me origjinë nga Rrësheni që përfaqësojnë kombëtaren. Dhe kjo është një tregues shumë i rëndësishëm.

Më shumë se një dekadë kam qenë pjesë e ekipit të Mirditës, pa u ndarë në asnjë moment prej saj.  
Krijimi i familjes më shkëputi pak kohë prej "oksigjenit" tim, volejbollit, por tashmë jam sërish pranë adrenalinës. 

Këtë sezon luaj për Ferizajn në Kosovë.
 Jam e lidhur shumë me volejbollin.
Vajzës sime i vendosa emrin e nje volejbolliste kubaneze. Quhet Noris .

Kjo tregon anën e brëndshme timen, e cila do jetë e pandarë nga voley. 


Mirdita është djepi, ku çdo fëmijë lodrën e tij të preferuar ka topin e volejbollit. Brenda çdo fëmijë jeton adrenalina e fortë e goditjes së topit përtej rrjetës.



Nga
Elsa PERGJETANI
(volejbolliste)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!