Publikuar më: 21.05.2021
Nëse një trajner mendon që ka arritur më të mirën, kjo do të thotë që ai ka dështuar.
Nuk jam ende ai lloj trajneri, sepse përceptimi im për futbollin dhe trajningun në veçanti është ndryshe.
Dikur futbolli shpjegohej nga elementët e shkencës, ndërsa sot ai është shkencë në vetvete. Përderisa shkenca zhvillohet dita ditës, edhe futbolli duhet të ecë me këtë ritëm.
Që nga dita e parë që më është dhënë mundësia të jem teknik, një pjesë e ditës sime ka shkuar në shërbim të përmirësimit të vetves në aspektin profesional. Jam munduar të mos humbas asnjë metodologji pa studiuar në botën e futbollit, e cila zhvillohet pa fund.
Kam tentuar të ndjek në çdo hap metodat e reja dhe teknikat e suksesshme në botë për të arritur qëllimin. Arrigo Saki ishte i pari teknik i cili më tërhoqi pas vetes, më pas erdhi Mourinjo dhe Guardiola. Por në asnjë rast nuk jam ndalur të them: "Unë do jem si ky apo ai trajner", jo..Jam munduar të përvetësoj më të mirën e trajnerëve më të mirë në botë dhe do vijoj të bëj të njëjtën gjë edhe në vijim. Sepse besoj fort që kjo është mënyra e duhur për tu përmirësuar dhe për të arritur tek suksesi.
E nisa nga filozofia e profesionit historinë time të shkurtër, sepse nëse sot kam një emër, kjo ka ardhur falë futbollit, veçanërisht trajningut.
Nuk e nisa rastësisht rrugën e futbollit. Kontaktet e para me topin nuk erdhën në rrugë, por në ambjentet e shtëpisë. Babi ka qenë futbollist me Tiranën në vitet 60, ndërsa mami atlete. Natyrisht sporti ishte kthyer si një pjesëtar në familje, të cilin nuk mund ta anashkaloje pa i kushtuar vëmendje.
Klasa sportive ishte vendi ku nisa të luaj futboll. Më pas fitova të drejtën të kaloja te mjeshtëria sportive "Loro Boriçi". Kur mbusha 19 vjeç, kalova me 21 vjeçarët, skuadër e cila shërbente për futbollistët e "djegur".
Ishte periudhë tranzicioni. Vitet 90 ishin shumë të vështira për të luajtur futboll. Kalova për pak kohë te Studenti në kategorinë e dytë dhe ky ishte stacioni i fundit si futbollist.
Trajningu më tërhiqte shumë. Shikoja çdo ndeshje me syrin e studiuesit. Vëzhgoja me detaje vendosjet taktike të lojtarëve, lëvizjet, modulet etj. Me mbështetjen e familjes nuk i humba në asnjë rast kontaketet me topin dhe si pasojë në vititn 1999 nisa kursin për trajner pranë Federatës Shqiptare të Futbolit. Sa më shumë kalonin ditët aq më shumë u përfshiva në botën e të qenurit trajner.
Kurset ndoqën njëra - tjetrën. U kualifikova në shumë trajnime në vende të ndryshme europiane. Opinioni rreth meje u ndërtua pozitivisht.
"Një trajner i ri me perspektivë ka marrë licensën", ishte kryefjala e opinionit rreth meje. Kjo bëri që të më hapej një derë. Apolonia ishte ekipi i parë. Ata sapo kishin rënë nga kategoria dhe duhej riorganizim.
Më pas kalimet nga njëri ekip tek tjetri më vlejtën shumë sepse u rrita në profesion. Ndryshe është të jesh trajner në teori dhe ndryshe në praktikë. Janë etapa që çdo njeri i kalon në karrierë.
Pas Fierit kalova te Kamza, Tomori deri sa mora drejtimin e një klubi elitar në Shqipëri. Arrita të fitoj trofeun e parë me Flamurtarin.
Kthyem kupën e Shqipërisë në Vlorë. Ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme në planin personal dhe profesional.Vërtet ngrita kupën, por vijova si ditën e parë duke mos hequr dorë nga studimi i futbollit me qëllim për tu përmirësuar. Nuk doja të humbisja asnjë ris. Krahas punës me lojtarët, punoja edhe me veten. Krahas përgatitjes fizike, teknike dhe taktike, i jepja shumë përparësi përgatitjes psikologjike skuadrës. Përdorja çdo formë që të arrija të mbaja në ritmin e duhur lojtarët në këtë aspekt.
Përgatitja psikologjike për mua ishte dhe është një nga elementët më të rëndësishëm në futbollin modern. Në shumë raste është thelbësorë për rezultatin final.
Me Kukësin fituam të tre trofetë e mundshsëm, Kampionatin, Kupën dhe Superkupën. Shkallët e hedhura një e nga një më dërguan në majë. Futbolli ecën midis suksesit dhe dështimit, sepse prandaj është i bukur.Me kalimin në Shkodër me Vllazninë shumë situata negative të klubit u reflektuan në fushë dhe jashtë saj. Si pasojë ndodhi dhe ajo ngjarje e pashpjegueshme kundrejt meje, e cila ka ngelur si një kujtim i hidhur tashmë.
Sigurisht edhe unë kam pas ulje ngritjet e mia, sepse suksesi nuk arrihet vetëm pa një grup solid lojtarësh që të ndjekin.
Por këtë grup është përgjëgjësi e trajnerit ta formojë. Kamza dhe Kukësi më pas u bënë ura lidhëse e kalimit tim në Tetovë.Isha shumë i emocionuar që do merrja përsipër trajnimin e një ekipi që përfaqëson futbollin mbarëshqiptar. Për mua Shkëndija e Tetovës është Kombëtarja B shqiptare. Jo vetëm nga ngjyrat, por për gjithçka që ky klub përfaqëson.E mora ekipin në vendin e tetë në renditje dhe në fundin e kampionatit qëllimi ishte të formatohej. Për të arritur një sukses duhen disa vite në një klub. Por në Tetovë suksesi erdhi shpejt.
Përpara ndeshjes me Totenhemin, për motivimin e skuadrës u shfaq një video e shkurtër nga historia e Shkëndijës. Ngjyrat kuqezi që shoqëruan këtë realizim preku të gjithë lojtarët dhe stafin. Ishte një nga elementët më fantastik, sepse Shkëndija është kuqezi, është skuadra që përfaqëson të gjitha trojet tona. Ndjeshmëria në këtë rast ishte në shkallën më të lartë.
Trajneri që kam djekur si shembull u ndodh përballë meje në Ligën e Europës. Kjo është ëndrra e shumë trajnerëve sot, që përballë të kenë trajnërët më të mirë në botë dhe unë kisha si kundërshtar Mourinjon.
Këtë mundësi ma dha skuadra tetovare, duke arritur të realizonim ndeshje vërtet dinjitoze përballë anglezëve.Përballjet në Ligën e Europës na rritën shumë nga ana psikologjike. Na bënë një ekip të fortë mendërisht. Skuadra edhe pse ndryshoi shumë me lojtarë të afruar, sërish e ruajti motivimin për të qenë dominues në Maqedoninë e Veriut.
Suksesi erdhi që në vitin e parë.
Sot po gëzojmë fitimin e kampionatit, një rezultat që nuk ka ardhur rastësisht, por falë punës, përkushtimit, motivimit dhe frymës kolektive.Klubi Shkëndija duke nisur nga drejtuesit fantastik, lojtarët dhe stafi teknik kanë funksionuar si një trup i vetëm. Në fushë është përzgjedhur një bord drejtues lojtarësh. Çdo problem i tyre përcillet nga unë tek bordi drejtues i klubit. Kjo transparencë dhe frymë bashkëpunuese e ka bërë ekipin të kalojë problemet që ka futbolli dhe në fund të gëzojmë së bashku suksesin.
Fitimin e titullit në Tetovë më shumë e ka shijuar familja ime, bashkëshortja dhe vajza.
Jana ata që më kanë dhënë mbështetjen e fortë në momentet delikate në karrierë.Janë ata që mërziten më shumë dhe gëzojnë më shumë në rrugëtimin si trajner.
Titulli i fituar në Shqipëri tashmë u pasua nga titulli me Kombëtaren B këtu në Tetovë. Dy spaleta kuqezi janë krenari për çdo trajner shqiptar.
Shkëndija është qershia ime mbi tortë si trajner, por kjo nuk do të thotë që kam arritur maksimumin, ndryshe do jem i dështuar.
Studimi i futbollit vazhdon...
Nga
Ernest GJOKA
(trajner)