Ornela LALAJ

 






Publikuar më 13.11.2020

Kujt i përket topi? 

Zakonisht midis dorës dhë këmbës gjithmonë fiton njëra. 

Por ka edhe raste që të dyja bien dakord të përjetojnë emocionet që të jep sporti në stilet e tij. 

Unë e dashuroj shumë basketbollin, por jam edhe lojtare me instikte në lojën me këmbë. Madje, dua të theksoj se kam fituar trofe si golashënuese kur isha në shkollën tetëvjeçare.

Gjithashtu u shpalla golashënuese në aktivitetin e parë madhor për futbollin e femrave zhvilluar në Vlorë. 

Por kjo nuk mjaftoi që të ndiqja futbollin. Natyrshëm isha e destinuar ti nënshtrohesha pasionit të duarve, basketbollit. 

E luaj shumë mirë futbollin, madje edhe për këtë më kanë kërkuar të jem pjesë e futbollit profesionist. Por për basketbollin nuk kam pasur asnjëherë mëdyshje. Ai është tashmë profesioni dhe pasioni i jetës. Për mua është gjithçka.

Në moshën 7-vjeçare luaja dhe dalloja për aftësitë e mia në shkollë. 
Nuk kishte ditë që nuk më linin të qetë. 

"Mos e humb kot talentin, por regjistrohu në ekipin e basketbollit sepse do të kesh rezultate", më thonin, duke nisur nga mesuesja ime. 

Kjo thirrje sa vinte e rritej, derisa Lida Shehu dhe Altin Cale më bindën që të regjistrohesha me Skënderbeun. 

Në fillimet e mia isha shumë e lëvizshme me topin. Kjo veti më bëri që të isha organizatore në fushë. Ishte e pashpjegueshme se si kjo lojë më bënte të përfshihesha shumë edhe si qenie në këtë sport fantastik. Me kalimin e kohës dhe me rritjen trupore, roli im u ndryshua në parket.

Një rol të rëndësishëm për rritjen time profesionale në zinxhirin e ekipeve të moshave kanë trajneri im i parë Altin Cale, duke vazhduar me Anesti Mano dhe trajnerin e parë të Skënderbeut, Emil Papa. 

 E dini, Majkëll Xhordan ishte idhulli im i fëmijërisë. Shikoja lëvizjet e tij në fushë, goditjet. Mendoja gjatë gjithë kohës për to dhe më dukej vetja në momente të caktuara sikur nuk i kisha problem ti realizoja. 

Por kur shkoja në parketin e shkollës, çdo gjë ishte ndryshe. Jo vetëm që nuk i realizoja dot lëvizjet, por më dukeshin të pamundura. Këtu kuptova që në sport nuk mjafton të kesh vetëm talent, por duhet punë dhe mund për të arritur qëllimet dhe ëndrrat që ke.

Parketi më bënte të ulesha me këmbë në tokë. Duhej ti merrja gjërat me radhë dhe të përkushtohesha shumë. 

Në moshën 13-vjeçare ftohem nga kombëtarja e 16-vjeçareve. Ishte një nga ndjesitë e rralla, për të cilat vetëm kisha dëgjuar,  por ta përjetoje ishte ndyshe. Rrugëtimi im më ngjyrat kuq e zi nisi në këtë moshë dhe pas tri vitesh përfaqësova kombëtaren e të rriturave ku jam pjesë e rëndësishme edhe sot. 

Në Monte Karlo  ishte përfaqësimi i parë me ngjyrat kuqezi ku kisha emocionet e të panjohures dhe meraku se si do të paraqiteshim ndaj ekipeve kundërshtare me emër në Europë ma prishën gjumin. Isha mësuar me prindërit pranë në çdo hap dhe papritur ata nuk ishin  aty për të më mbeshtetur si zakonisht.

Dolëm ne vendin e dytë në grup dhe për ne ishte një arritje e madhe. Mendimet dhe emocionet e fillimit u zëvendësuan me kënaqësinë që më dha kjo pjesëmarrje për herë të parë më ngjyrat kuq e zi. Thjesht fantastike ky ndryshim i ndjesive. 

Në moshën 17 vjeçare mora ftesë nga ekipi   Kamza Basket. Kjo ftesë më gëzoi, sepse mu dha mundësia të ndiqja pasionin dhe njëkohësisht fakultetin. 

Flasim për arritje, për emocione, por bashkë me to një sportist shoqërohet nga shumë ndodhi të ndryshme, negative dhe pozitive. Në moshën 15 vjeçare pësova  një dëmtim që më la jashtë  parketit për disa kohë. 

U desh  një ndërhyrje  kirurgjikale që të rikthehesha pranë pasionit tim. Kur je në një moshë kaq të re, demoralizimi mund të dërgojë deri aty sa të tërhiqesh nga sporti. 

Raste të tilla ka shumë, por i imi nuk ishte njëri prej tyre.

Gjeta forcën e duhur për të përballuar rikuperimin dhe u riktheva me dëshirë. Një zhgënjim të fortë pësova para pak kohësh me kombëtaren, pas një dëmtimi rishtas humba ndeshjen finale me Goga Basket dhe mbi të gjitha humba kombëtaren për ndeshjen e kthimit ndaj Rusisë.

Jam ndjerë keq, sepse isha në kulmin e formës sime. Ndaj Lituanisë dhe Rusisë në sfidën e parë u shpalla lojtarja më e mirë.
 E çuditshme sepse sportistët nisin dhe pengohen atëherë kur janë në formën
 e tyre më të mirë. 

Por dëmtimi dytë në gju u rikuperua pa pasur nevojën e ndërhyrjes kirurgjikale.

Skënderbeu, Kamza,  Studenti, Goga Basket, Tirana dhe së fundi Partizani, janë ekipet ku kam dhënë dhe jap kontributin tim.

Kam pasur edhe një rast ku mund të luaja jashtë vendit. Shkova me pushime në Selanik në moshen 17 vjecare. Atje më kontaktoi trajneri i Arisit. Kërkonte të bëhesha pjesë. Pas shumë përpjekjesh nuk u arrit të konkretizohej ky kalim. 

 Basketbolli është një sport që të bën për vete. Këtë nuk e them se jam profesioniste, por kordinatat psikologjike të lëvizjeve në parket e bëjnë atraktive këtë lojë. 

Dua tju tregoj diçka të veçantë që ka të bëjë me anën e brendshme timen.

Luaja ndaj skuadrës ku u formova si basketbolliste, Skenderbeut. Luaja kundër shoqeve të femijërisë. Isha pjesë e Studentit  e në fund fituam me tre pikë. Megjithëse isha pikëshënuesja më e mirë e takimit u ndjeva si në faj sepse mposhtëm ekipin e Qytetit ku linda.  Nga kjo ndeshje vendosej se cili ekip do të qëndronte në katërshe. Prisja një mundësi që të riktheja mirënjohjen time për atë klub e kjo mundësi më erdhi.

Për tre muaj u riktheva me kerkesën e trajnerit të Skenderbeut. Ishim në kategorinë e dytë dhe luftonim për t'u ngjitur. Dhashë kontributin tim e në fund arritëm të dilnim në grupin A. U ndjeva si në qiellin e shtate, sepse kisha shpërblyer me mirënjohje vendin që më bëri profesioniste. Gëzova familjen time, mamin dhe babin që kanë bërë gjithçka për të arritur këtu ku jam.

Loja në grup është themeli i triumfit në basketboll. Bashkëpunimi është çelësi për të arritur majat. Pergatitja fizike dhe pergjegjesia ime në lojë janë fokusuar në modelin e par timin, Lida Shehu, e cila ka qenë basketbolliste e shkëlqyer dhe si pikëshënuese por pa harruar dhe drejtimin  zgjuar të Altin Cale.

Ndër basketbollistët e sotëm më pëlqen thjeshtësia dhe virtuoziteti i Luka Doncic.

Gjithsesi te jesh e sukseshme në basketboll nuk është thjesht një veti që vjen nga aftësitë individuale, por vënia në zbatim e këtyre cilësive me pjesën tjetër të grupit. Altruizmi në lojë të bën të kënaqur kur ju shërben të tjerëve në funksion të rezultatit.

Në sfidat ndaj Lituanisë, Rusisë dhe Malit të Zi u shpalla lojtarja më e mirë e kombëtares sonë, por kjo nuk ishte si pasojë vetëm e lojës sime, por e gjithë grupit, që në rastin e basketbollit është thelbesore.


Ndihma që merr në lojë ndikon drejtpërdrejt në rezultatin perfundimtar të takimit, por dhe atë personal. 

Ndihem shumë e lumtur që jam basketbolliste, lojë e cila më ka dhënë emocione pa fund, që nuk besoj se do i merrja nga instikti tjetër i hobit tim, futbolli.

Nga 

Ornela LALAJ 

(basketbolliste)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!