Rustem HOXHA

 




Publikuar më: 31.05.2021

Me shpejtësi ndërtova shtyllën e parë të portës prej rëre. Me hapat e këmbës mata largësinë nga shtylla e dytë. 

Të njëjtën gjë bëri edhe kundërshtari. Deti dukej sikur ishte tifoz me zhurmën që krijonte në breg. 

Filloi ndeshja e radhës, të cilën e luanim çdo ditë në të njëjtin vend. 

Pa kaluar shumë kohë, një lojtar kundërshtar godet një top, i cili përplaset në shtyllën prej rëre duke e shpërbërë atë. 

"Ishte shtyllë e jashtme apo e brendshme?", kjo ishte çështja më pas.  Kundërshtarët besonin se ishte e brendshme dhe rrjedhimisht  gol, ndërsa ne si ekip mbronim versionin tonë që ishte portë e jashtme. Dhe kështu "moviola" vazhdonte çdo ndeshje. 

Sfidat  zgjasnin 4-5 orë përditë dhe një pjesë e mirë e kohës kalonte me diskutime nëse ishte gol ose jo. Nuk e di pse aroma e jodit dhe ajo zhurma e dallgëve mu rikthye pas dy dekadash në ndeshjen tonë finale, ndeshjen e fundit në kampionat, sfidë  që na riktheu titullin kampion pas 27 vitesh.

Momenti kur arbitri sinjalizoi mbarimin e ndeshjes ishte si një fitografi që do më mbetet para syve. Nuk besoja që ishim kampionë. Duheshin disa sekonda që ta merrja seriozisht.

Të rritesh në qytetin tënd me ëndrrën që një ditë do të fitosh kampionatin, besoj që është më e bukura për një futbollist. 

Sot ndihem me fat që po e përjetoj këtë fakt si kampion. 

Teuta e fitoi titullin e parë kur unë isha vetëm 3 vjeç. U rrita duke dëgjuar shpesh për atë brez të artë. U rrita me imazhin e tyre. 
Na flisnin shpesh për vlerat e atyre futbollistëve, të cilët i dhanë Durrësit kënaqësi të jashtëzakonshme. Me kalimin e viteve natyrshëm doja të bëja të njëjtën gjë. 

Por unë nuk linda me futbollin. 

Nuk e shikoja në asnjë rast si një sport që mund të luaja kur isha i vogël. Në fillimet e mia karateja ishte sporti që praktikoja shumë.  Por sa më shumë kalonin vitet, aq më shumë familja këmbëngulte që të largohesha nga ai sport. Nuk ndihesha më si në fillime, pasi shumë situata që krijoheshin nga karateja nuk ishin komode. 

Këmbëngulja  e babit bëri që të largohem  nga ai sport. Ishte si e planifikuar. Them kështu sepse nuk kaluan 24 orë dhe im atë me regjistroi direkt te Akademia e futbollit Tropikal. Agim Bulku dhe Ramazan Tafa u bënë trajnerët e parë. Isha shumë i emocionuar dhe i hutuar kur u prezantova sepse u ndodha në një ambjent të ri ku nuk luhej më me goditje duarsh apo këmbësh, por këmbët ishin në funksion të një topi. 

Ditët e para kaluan. Sa më shpejt kalonin aq më shumë lidhesha me lojën e bukur. Në ato vite nuk mësova të luaj vetëm futboll, por mësova edhe si të sillem dhe si ta konceptoj jetën falë trajnerëve. 

Ndihem shumë më fat që u bëra pjesë e asaj akademie.  I falenderoj trajnerët sepse ishin si prindër të dytë për mua. 

Në jetë momentet më të rëndësishmë fiksohen përgjithmonë në memorje. E tillë ishte ndeshja ime e parë me Teutën. 

14 Maj 2010 ndaj Flamurtarit. Isha vetëm 17 vjeç dhe nuk e prisja që debutimi do të vinte aq shpejt. Eduart Salillari, ish shefi i klubit në atë kohë më dha lajmin e parë kur luaja me të rinjtë. Por deri ditën kur Starova më aktivizoi nuk e mendoja që kjo ëndërr do realizohej si me buton. Konsiderohesha një lojtar me shumë perspektive.


Si pasojë shumë shpejt erdhi edhe ftesa nga seleksionimi i kombëtares U-19. U përzgjodha nga Ramadan Shehu. Pas eliminatorevë që zhvillova me U-19, në moshën 18 vjeçare ftohem nga shpresa kuqezi. Çdo gjë po shkonte përtej parashikimeve. 

Në futboll duhet të kesh dhe shumë fat që gjerat të ecin ashtu sikurse i mendon. Në rastin tim fati ishte kundër meje në momentin kur po shpërtheja. 

Në moshën 18 vjeçare dëmtohem rëndë në çerekfinalen e kupës në Korçë. Ishte një stop për mua, sepse si pasojë e këtij dëmtimi nuk munda të vazhdoj me kombëtaren e shpresave. 

Dëmtimet në shumë raste janë me pasoja për futbollistët, por fatmirësisht arrita ta kaloj atë moment delikat dhe të rikthehem në fushë. 

Eksperienca u rrit në vazhdim me kalimin në dy stacione në karrierë, Gjirokastër dhe Kukës, por momentet më të bukura i kam në vendlindje, Durrës. 

Këtë e them jo sepse u shpalla kampion këtë sezon, por gjithnjë në këtë vend kam gjetur veten time. Kam gjetur veten në futbollin e rërës, në futbollin e detit. 

Gjithsesi, nuk ka qenë aspak e lehtë të arrij deri këtu. 

Kur isha i ri zhgënjimi ishte shpesh prezent tek unë, më mungonte durimi. Por babi gjendej gjithnjë aty për të më dhënë kurajon dhe mbështetjen e duhur. E gjithë familja ime ka bërë sakrifica që unë të jem këtu, ndaj të cilëve i jam mirënjohës dhe i dua pa fund. Ashtu sikurse e quaj, familja e madhe është mbështetja e fuqishme për një futbollist. 

Bashkëshortja dhe vajza ime janë pranë meje në çdo hap, në çdo vështirësi dhe çdo gëzim. Janë mbështetje e pazëvendësueshme.

Futbolli ka shuar luftëra, ka vendosur paqe midis shteteve. Prandaj të bën për vete me magjinë e tij. 

Për mua futbolli është pasioni dhe profesion. Unë paguhem për pasionin, me të cilin mbaj familjen. Në momente meditimi falenderoj zotin që pasioni është fat dhe profesion tek unë. Faleminderit!


Nga 

Rustem Hoxha

(futbollist)

Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar!