Vera BREGU





Publikuar më 10.07.2021

U bëra gati për udhëtimin e parë jashtë shtetit, në Seres, Greqi. Do zhvilloja garën e parë ndërkombëtare për Shqipërinë. Sigurisht emocionet bënin të veten, por më e rëndësishmja ishte dilema që na kishte pushtuar. 


Doja të blija diçka atje ku do të shkonim, por nuk na lejonin të merrnim para me vete. Por si mund të lija pa i blerë diçka prindërve në shenjë falenderimi, të cilët më ushqyen me pasionin e sportit? 


Cila do ishte shenja e mirënjohjes për idhullin tim, babin, i cili si kampion në sport ishte motivi që vrapoja? 


Për këtë u menduam dhe në fund gjetëm një zgjidhje të veçantë...


I  fshehëm paratë në atletë, një mënyrë që e përdorëm dhe herë të tjera në atë kohë ku sistemi nuk na lejonte. 


Në garën time të parë ndërkombëtare, në mendjen time kisha fjalët e prindërve të mi, me të cilët u rrita. "Sa i rëndësishëm është ushqimi, aq është dhe sporti", fjalë që ende ditët e sotme i kam si një kujtim të pazëvendësuseshëm. Po, me këtë frazë nisa dhe atketikën. Atje  mora medaljen e argjendë e vlefshme për kampionatin ballkanik për të rejat me 6.04 metra.

Emocione të papërshkrueshme sepse përfaqësoja Shqipërinë dhe flamurin kuqezi.

Kur isha e vogël lojrat dixhitale nuk aplikoheshin. Kështu argëtimi im dhe i shoqeve të mia ishin lojërat në natyrë. Preferoja shumë "Kapja e shamisë dhe kërcimet me litar". Tek kërcimet me litar shkëlqeja, premisë kjo për fatin tim më pas në atletikë. 


Si zakonisht nuk shkëputesha dot lehtë nga lojërat me shoqet, kështu duhej që të na thërrisnin prindërit. Një ditë babi më thërret. Por kësaj radhe jo për tu futur në shtëpi, por për të më dhënë lajmin e madh. Do vazhdoja të stërvitesha në Loro Boriçi, Shkodër. Por për këtë duhej të bëja rrugën vajtje-ardhje çdo ditë nga Gruda për në Shkodër. 


Ishte një sakrificë e madhe, por unë ndihesha shumë e lumtur që do stërvitesha në stadiumin ku kanë ndërtuar ëndrrat shumë sportistë shkodranë. Babi ishte modeli im. Ded Bregu ishte kampioni, i cili edhe në moshën 40-vjeçare doli triumftaor në mundjen e lirë.

Nga ana tjetër, trajnerja ime ishte rekordmenja Angjelina Gurakuqi. Një njeri i përkushtuar dhe shumë  e dashur. Kjo sjellje me dha forcë që ëndrrën time ta ndiqja çdo ditë.
"Nëse do vazhdosh të stërvitesh në këtë mënyrë, do të ecësh në atletikë", ishin fjalët motivuese të saj.
Dhe fillimi ishte i mbarë. Fitova vendin e parë në 80 metra me pengesa dhe kërcim përsë gjati në Vlorë në moshën 10 vjeçare. Një nisje fantastike. Pata shumë emocione dhe shumë përgjegjësi.

 
Rekordet dhe pjesëmarrjet në kampionatet e të rriturve ndoqën njëra-tjetër më pas, duke u kthyer në një atlete që nuk kisha konkurente. Rekordi në kërcimin e 6.53 metrave i vendosur në  i vitin 1989 vazhdon ende i pathyer edhe sot.

Gjatë kohës bashkëshoqëruese kisha edhe komplimentet e vazhdueshme për paraqitjen fizike. Si çdo sportist, paraqitja fizike është ajo që bie në sy, kjo si pasojë e stërvitjeve të vazhdueshme.
Pamjen time fizike e kam parë si një vlerë, shtuar vlerave të tjera që kisha në lidhje me personalitetin tim kundrejt atletikës. Ajo nuk ishte pengesë.
Turnetë jashtë vendit u bënë të zakonshme më pas, me emocione të shumta, me gëzim, por edhe më hidhërim. Humbja dhe triumfi ecin bashkë në sport. 

Në kampionatin europian në Split shkova në formën më të mirë dhe pretendoja të fitoja medalje.
Nga tre prova, në dy bëra faull, ndërsa në kërcimin e fundit isha larg pedanës. Zhgënjimi më rëndoi shumë psikologjikisht, sepse forma e shkëlqyer kishte rritur pritshmëritë.

 
Dështimi në Split nuk erdhi si pasojë e fatit, sepse ky i fundit më penalizoi në Hungari pas disa vitesh. Edhe në atë kohë isha në një formë të shkëlqyer, por dëmtimi përpara garës më hoqi mundësinë të merrja medaljen.
Në sport janë të pranueshme të gjitha rezultat, por kur pengesa të tilla bëhen shkak, atëherë mërzitja është shumë e madhe. Por sportisti ka për detyrë të gjejë forcën për të kapërcyer mbi pengesat.

 
Për një atletë pjesëmarrja në Olimpiadë është ëndërr. E tillë ishte edhe për mua deri sa ajo u bë realitet në pjesëmarrjen në  Olimpiadën e Atlantës. Suksesi dhe përkushtimi në sport u konkretizuan jo vetëm në garë por edhe me një takim të rrallë për kohën kur ndodhi, pikërisht takimi me presidentin amerikan Bill Klinton. Një fotografi e bukur në karrierën time kjo.
Olimpiada ishte pjesëmarrje, ndërsa medaljet  e arit i mora në Bruno Zauli, në Bruksel pas paraqitjeve shumë të mira. 


Karriera e një sportisti është e varur shumë me të afërmit. Rritemi nga familja dhe më pas kjo familje bëhet e madhe.
Në Shkodër u njoha me bashkëshortin, i cili u bë një mbështeje e fortë nga fillimi dhe më pas gjatë gjithë karrierës dhe jetës sime.

Ardhja në jetë e djalit, Marko, më shkëputi rreth dy vite nga profesioni. Për një jetë më të mirë kishim emigruar në Greqi. Por qëndrimi atje nuk zgjati shumë. Doja të rikthehesha të vazhdoja pasionin.
U riktheva në sport me rikthimin në Shqipëri sepse brenda meje jetonte ende fryma e konkurencës për të bërë më shumë në sportim me të cilin u rrita. 


Pas disa turneve jashtë Shqipërisë erdhi një garë tre hapësh ku duhej të isha prezente. Këtu do ishte momenti që përcaktoi dhe largimin tim nga atletika.
Mungesa e të ardhurave si dhe dënimi më pas i federatës së atletikës me një vit pezullim nga aktivitetet ishin dy arsyet që më larguan përfundimisht nga sporti, duke lënë pas një karrierë për të cilën ndihem krenare. Sot nuk jam thjesht një ish atlete që kam përfaqësuar Shqipërinë, por mbi të gjitha një dashamirëse e këtij sporti.

Rekordi im në kërcimin e 6.53 metrave ende nuk është thyer. Për këtë nuk më vjen mirë, duke patur parasysh kushtet e sotme dhe kushtet kur është vendosur ky rekord. Gjithsesi mendoj dhe shpresoj se ky rekord do dhe duhet të thyhet, sepse rekordet janë bërë për tu thyer.


E nisa me lojën e kërcimit me litar, U rrita me fjalët dhe kujdesin e prindërve, e ndoqa ëndrrën me mbështejen e bashkëshortit dhe dashurinë e familjes së madhe. Ndihem krenare për flamurin që përfaqësova dhe që isha atlete e qytetit që e do aq shumë sportin... 


Faleminderit!

 

Nga 

Vera Bregu

(ish-atlete, rekordmene)


Ekskluzive vetëm nga www.talentisportiv.com 

Kujdes!

Kopjimi dhe publikimi i detajeve të artikullit  

si informacion, është rreptësisht i ndaluar !